Alisson, portieri që…

Ronaldinho, Cristiano Ronaldo dhe fenomenë të tjerë kanë kënaqur tifozët e futbollit me magjitë e tyre. Por kohët e fundit nuk përbën më lajm që një mesfushor ose një sulmues të dhurojë spektakël në fushën e lojës. Atëherë? Atëherë le të fillojmë të argëtohemi pak edhe nga portierët. Nëse Manuel Neuer ka përforcuar imazhin e portierit organizator me daljet e tij, në Angli po shijojnë këmbët magjike të brazilianit Alisson.

Në ndeshjen e fundit, ai ka befasuar edhe Jurgen Klopp. Madje, e ka frikësuar atë. Portieri ka mrekulluar të pranishmit në “Anfield” jo vetëm me pritjen shpëtimtare të realizuar në minutat e fundit, por edhe me një lëvizje të çmendur. Pritja në stilin e maces është diçka që e kemi parë edhe herë të tjera, por ajo që ka bërë në minutën e 68-të ka qenë me të vërtetë e jashtëzakonshme. Merita është e gjitha e tija, po faji i kujt është?

I blerjes tjetër rekord të klubit anglez: Virgil van Dijk. Një pasim i tij, i shkurtër, drejt portës së Alisson mund të ishte kthyer në një asist për francezin e Brighton, Anthony Knockaert. Alisson ka dalë nga kjo situatë delikate duke futur këmbën poshtë topit dhe duke e kontrolluar më pas atë mbi vijën e zonës së rreptësisë, me francezin që është lënë në vend nga portieri.

Pasi ia ka pasur topin Van Dijk-ut stadiumi ka shpërthyer. Edhe Klopp ka thënë në fund të ndeshjes se: “Kam patur disa qendërmbrojtës që dinin të bënin gjëra që mbrojtësit nuk duhet të dinë t’i bëjnë zakonisht. Si Hummels, i cili bënte gjithmonë gjëra të pakuptimta te Borussia, por ishte i aftë. Si kjo e Alisson. Nuk është bukur për një trajner të shikojë gjëra të tilla. Por është bukur nëse funksionon”.

Përveç spektaklit, vijnë edhe rezultatet. Për Alisson, në fakt, ajo kundër Brighton ka qenë ndeshja e tretë radhazi pa pësuar gol, një rekord i arritur vetëm nga tre portierë të “Të Kuqve” në 50 vitet e fundit: Grobbelaar, Mignolet e Reina. Një arritje që mund të festohet edhe me ndonjë magji të tepërt në fushën e lojës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here