Hamilton prenoton titullin duke triumfuar në Singapor, Verstappen dhe Vettel në podium

Lewis Hamilton hedh një tjetër hap të sigurt drejt rikonfirmimit kampion bote në Formula 1, pas triumfit sot në pistën e Marina Bay, në garën e vlefshme për Çmimin e Madh të Singaporit, suksesi i 7-të sezonal.

Piloti britanik preu i pari vijën e finishit pas një gare të mërzitshme, me pak emocione e momente interesante, duke e komanduar atë nga fillimi i saj.

Pole që Hamilton arriti dje praktikisht vlente me 50% të fitores dhe ashtu ndodhi, pasi rivalët nuk arritën në asnjë moment ta vënë në vështirësi. I dyti u rendit Max Verstappen me Red Bull, ndërsa i treti Sebastian Vettel me Ferrari, që ashtu si britaniku ruajtën pozicionet që kishin në fillimin e garës.

Gara e Singaporit u zhvillua me drita, por spektakli në pistë mungoi dhe i vetmi që fërkon duart nga kjo garë është Hamilton, që tashmë ka 40 pikë avantazh karshi Vettel në renditjen e përgjithshme, me 6 gara nga fundi.

Nuk pati ndryshime pozicioni për 6 pilotët e parë, ku Bottas (Mercedes) u rendit i katërti, Raikkonen (Ferrari) i pesti dhe Ricciardo (Red Bull) i gjashti, ashtu sikurse edhe e nisën garën. në “top-10” u klasifikuan edhe Alonso (McLaren), Sainz (Renault), Leclerc (Sauber) dhe Hulkenberg (Renault). As starti, as makina e sigurisë e as ndalesa për ndërrimin e gomave nuk dhuroi ndonjë përmbysje të garës, që rrodhi e qetë për 61 xhiro.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here