Roma ka fituar 3-1 derbin me Lazio-n dhe duket se ka lënë pas krahëve mini-krizën e fillimit të sezonit.
Në fakt, kjo ka qenë fitorja e dytë radhazi për skuadrën e Di Francesco-s pas dy barazimeve dhe dy humbjeve.
Ndeshja është zhbllokuar në fundin e pjesës së parë nga Pellegrini, i cili ka dërguat topin në portën e boshatisur me një goditje me thembër pas një gabimi të bërë nga mbrojtja laciale, që ka nxjerrë jashtë loje ndërhyrjen e Strakoshës.
Lazio ka arritur të kthejë barazinë në minutën e 67-të me Ciro Immobile, por katër minuta më vonë ka ardhur goli i ish-lacialit Kolarov, i cili ka befasuar Strakoshën me një goditje të zgjuar dënimi.
Sfida është mbyllur përfundimisht në minutën e 86-të, kur Fazio ka realizuar golin e tretë për vendasit dhe i ka siguruar atyre tri pikët.