Tafa: Shumë e vështirë ndaj Spanjës

Shqipëria U-21 do të luajë dy ndeshjet e fundit eliminatore në grupin 2, kundër Spanjës në Tiranë dhe Estonisë, në fushën e kësaj të fundit. Përgatitjet vazhdojnë, ndërkohë që sot, në konferencën për shtyp kanë dalë dy kuqezinj. Njëri prej tyre ishte Shaqir Tafa, i cili ka nënvizuar para gazetarëve:

“Ndeshjen e parë e kemi nesër kundër Spanjës, pastaj shkojmë në Estoni. Objektivi është fitorja, si përherë, por do ta kemi të vështirë, sidomos kundër spanjollëve. E dimë që Spanja ka një ekip shumë të fortë. Në ndeshjen e parë në Spanjë bëmë mirë, por nuk fituam dot. Ata patën edhe pak fat. Uroj që këtë herë fati të jetë me ne.

Loja mbrojtëse do të jetë shumë e rëndësishme ndaj një kundërshtari si Spanja, që sulmon vazhdimisht. Mendoj se do të luajmë mirë taktikisht, sepse po t’i lësh hapësirë Spanjës, të ndëshkon. Kundërshtari është shumë i mirë në pasime dhe goditje. Në fakt, do të duhet që loja jonë mbrojtëse të jetë për notën 10, që të marrim diçka nga kjo ndeshje.

Situata në ekipin Shpresa? Të them të vërtetën, minuta në këmbë nuk kemi shumë, ky është problem që dihet. Por, nëse i gjithë ekipi luan i bashkuar, mendoj se mund të bëjmë mirë. Edhe unë nuk kam luajtur shumë këto ndeshje, por jam gati të jap maksimumin ndaj Spanjës.

Kombëtarja A? Është një ëndërr, por ka kohë. Tani ka lojtarë me nivel, që luajnë atje. Po bëra mirë këtu, ndoshta mund të ketë hapësirë edhe për mua në kombëtaren e madhe. Shkallët ngjiten një nga një. Nga lojtarët e kombëtares njoh Veselin dhe Ajetin. Mavraj më pëlqen shumë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here