Kaka’ i ri te Milani nuk është ende punë e kryer, ka ndërhyrë Flamengo

Drejtori sportiv i Flamengos, Carlos Noval, mohoi se Milani ka arritur një marrëveshje për të nënshkruar me yllin brazilian, Lucas Paqueta, megjithëse beson se transferimi mund të finalizohet brenda dy javësh.

Sipas njoftimeve mediatike të së mërkurës, skuadra e Seria A ka rënë dakord për një marrëveshje me mesfushorin-sulmues, që ai të vishet kuqezi prej janarit. 21-vjeçari, me dy ndeshje në kombëtaren e Brazilit, që e bëri debutimin e tij te Flamengo në vitin 2016, ka qenë i lidhur edhe me Liverpool, Barcelona dhe PSG.

Noval, megjithatë, tha se kalimi i pretenduar i Paqueta te Milani nuk është përfundimtar, ende. “Nuk ka ende një marrëveshje të bërë me Milanin dhe ne preferojmë të flasim vetëm kur gjërat të bëhen zyrtare, – tha Noval për “Tuttomercatoweb”. – Ne po bisedojmë. Negociatat janë në vazhdim, por ato nuk janë mbyllur ende. Unë mendoj se mund të finalizohet brenda dy javësh, por duhet të jenë disa “po” për këtë”.

Paqueta ka shënuar 17 gola në 88 ndeshje të luajtura me Flamengo. Braziliani ndërkombëtar, i cili bëri debutimin e tij ndërkombëtar kundër SHBA në gusht, është golashënuesi kryesor i Flamengos këtë sezon, me nëntë gola. Paqueta nuk është pjesë e kombëtares së Brazilit për ndeshjet e radhës, kundër Arabisë Saudite dhe Argjentinës, për shkak të angazhimeve të klubit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here