Nuk ka ndryshime te Bayerni: Kryesia sulmon gazetarët

Bayern-i lajmëroi ditën e djeshme një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku do të merrnin pjesë drejtuesit më të lartë të klubit, presidenti Uli Hoeness, shefi ekzekutiv Karl-Heinz Rummenigge dhe drejtori sportiv Hasan Salihamidzic.

Të tre së bashku kishin dalë për herë të fundit kur prezantuan Jupp Heynckes, pas largimit të Carlo Ancelotti-t nga stoli bavarez, por këtë radhë dalja publike ka qenë vetëm një sulm i ashpër ndaj mediave. Në kor, drejtuesit e Bayern-it kanë akuzuar median se po e sulmojnë pa asnjë logjikë klubin legjendar gjerman dhe kanë paralajmëruar se tani e tutje nuk do të pranojnë më shpifje dhe sulme pa bazë, duke kërcënuar edhe me gjyq.

RUMMENIGGE

“U mblodhëm të hënën, pas ndeshjes kundër Holandës, dhe vendosëm që nuk do e pranonim më këtë stil pune, këtë sulm konstant ndaj lojtarëve të veçantë. Kemi lexuar gjithçka, por asgjë në lidhje me paraqitjet, vetëm sulme ndaj lojtarëve. Dinjiteti i lojtarëve nuk mund të preket, me ligj, ndaj ne te Bayern nuk do ta lejojmë të ndodhë më. Nuk kam fjalë të përshkruaj ndjesinë kur kam lexuar disa gjëra për Manuel Neuer. Si mund të kritikohet Neuer, apo të shkruhen gjëra të tilla për Hummels e Boateng? E njëjta gjë vlen edhe për Ribery e Robben. Këta djem kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në dekadën e fundit për ta bërë Bayern-in një yll të shndritshëm në futbollin botëror. Kur lexoj këto debate për moshën e tyre, më duken polemika boshe. Dua t’iu kujtoj gazetarëve gjermane se ata dhe kolegët e tyrë kanë thënë se transferimi më i madh i këtij sezoni është një 33-vjeçar (Cristiano Ronaldo).

“Kemi 6 vite që festojmë, kemi fituar gjithçka të mundshme dhe Gjermania ka fituar Botërorin në 2014. Me shumë lojtarë nga Bayern-i.

“Edhe ne kemi mbetur të pakënaqur nga rezultatet dhe stili i lojës, por nuk ia lejojmë vetes të sillemi keq me lojtarët. Do t’i mbrojmë, edhe ligjërisht, lojtarët tanë. Neuer nuk ka pasur fat në ndonjë ndeshje, si në Augsburg, apo ndaj Holandës, por kjo nuk është arsye për ta hedhur në plehra.

“Nuk duam ta gjejmë shkakun e krizës te mediat, nuk duam lëvdata nëse humbasim, por duam mbulim serioz dhe me fakte. Ne kemi kanalet tona, do t’i bëjmë gjërat si duam ne tani e tutje.

HOENESS

“Është e rëndësishme që klubi më i rëndësishëm në Gjermani të respektohet nga mediat. Është e pabesueshme dhe mungesë totale respekti ajo që ndodhi me trajnerin e kombëtares Jogi Löw, ai nuk e meriton këtë sjellje. Shembull tjetër? Salihamidzic dhe Kovac shkuan në një ndeshje basketbolli dhe 4-5 persona po fishkëllenin. Çfarë bën Bild? Shkon dhe i kërkon Telekomit nëse mund të marrë pamjet filmike. Kjo është mungesë respekti. Nuk kthehet gjithçka përmbys për 14 ditë”.

Hoeness për Bernat: “Na sulmojnë dhe kritikojnë pse shitëm Bernat, sikur humbja ndaj Gladbach erdhi se mungonte ai. Por ai lojtar thuajse na kushtoi Champions League në Seville kohë më parë dhe më pas vendosëm ta shisnim. Bavaria ka qenë gjithnjë një familje dhe nuk i sulmojmë lojtarët tanë, edhe nëse Neuer gabon, qoftë edhe 4-5 ndeshje. Secili ka opinionin e vet, bilanci bëhet në fund të sezonit dhe do të shohim kush ka pasur të drejtë”.

Hoeness për kritikat e ashpra ndaj Mesut Ozil: “Po, nuk duhej të thosha që ka luajtur si plehrë, duhej të përdorja fjalën papastërti. E pranoj që pas ndeshjeve thuhen gjëra nga emocionet e forta, gabova edhe me kritikat ndaj Bellarabi, nuk duhej të thosha ‘i sëmurë mendor’”.

SALIHAMIDZIC

“Kritikat e Effenberg? Ai punon në televizion, unë te Bayern. Më kanë kritikuar pse nuk kam dalë në mbrojtje të trajnerit. Pse? Kovac nuk është në diskutim. Nuk ka arsye pse të puthemi në publik, nuk jemi në ndonjë reality shoë në xhungël. Po, unë do të mbroj skuadrën, gjithmonë, sepse është e tmerrshme të shohësh sulmet e javëve të fundit”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here