Tottenham lëshon fitoren në fundin e ndeshjes, Monaco dhe Brugge ndalen në barazim

Tottenham ka barazuar 2-2 në fushën e PSV-së, ndeshje e vlefshme për javën e tretë të Grupit B.

Kanë qenë vendasit që kanë kaluar të parët në avantazh me Lozano-n në minutën e 30-të, duke përfituar nga një gabim i Spurs. Festa e vendasve ka zgjatur vetëm 9 minuta, me Lucas Moura që ka barazuar takimin falë një goditje të devijuar brneda zonës së rreptësisë.

Miqtë kanë kompletuar përmbysjen 11 minuta pas fillimit të pjesës së dytë me Harry Kane, i cili ka shënuar me kokë pas një krosimi të Erksen. Tottenham mund të kishte shënuar edhe golin e tretë në minutën e 73-të, por gjuajtja e Lamela është ndalur nga traversa.

Gjashtë minuta më pas, Lozano ka qenë përsëri protagonist pasi ka shkaktuar daljen nga fusha me karton të kuq të portierit Hugo Lloris, i cili ka bërë një ndërhyrje të palejuar ndaj meksikanit si lojtar i fundit. Holandezët kanë përfituar nga superioriteti numerik dhe kanë shënuar golin e barazimit 2-2 me De Jong në minutën e 87-të. Gjithsesi, rastet më të pastra për gol i ka patur Tottenham në minutat e fundit, por lojtarët e Pochettino nuk kanë arritur t’i shfrytëzojnë.

Ky barazim i shërben më shumë Barcelona-s dhe Inter-it, që do të përballen pas pak në “Camp Nou”. Spanjollët dhe italianët, në fakt, kryesojnë grupin me nga 6 pikë, ndërsa Tottenham dhe PSV kanë nga një pikë.

Ndërkohë, takimi i luajtur mes Club Brugge dhe Monaco, i vlefshëm për Grupin A, është mbyllur në barazim 1-1. Vazhdon momenti i keq i francezëve, të cilët nuk kanë fituar asnjë nga 12 ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet. Ka qenë Monaco që ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 32-të me Sylla-n, i cili është bërë dhe lojtari i dytë më i ri që shënon gol për klubin francez në Champions League pas Mappe.

Vendasit janë kundërpërgjigjur në minutën e 39-të me Wesley, i cili ka fiksuar shifrat në 1-1. Ky rezultat lë zviceranët në vendin e fundit, ndërsa francezët janë të tretët falë golit të shënuar në fushën e Brugge, duke parë se të dy ekipet kanë nga një pikë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here