PSG dhe City në probleme – UEFA pranon parregullsitë, fillojnë hetimet

Më në fund UEFA del hapur në lidhje me temën e Fair Play financiar dhe zbulimeve të bujshme nga Football Leaks.

Dokumentet e fundit, që u përkasin shkeljeve të ndryshme të rregullave të Fair Play-t financiar, ku nën akuzë janë sidomos PSG e Manchester City, kanë bërë që edhe qeveria e futbollit europian të reagojë, me një komunikatë për shtyp.

“Fair Play financiar (FFP) ka përmirësuar jashtëzakonisht shëndetin e financave të futbollit europian në nivel klubi. Shtatë vite më parë klubet europiane kishin një borxh total prej 1.7 miliardë eurosh, vitin e shkuar zbritëm në 600 milionë. Futja e FFP ishte pa asnjë dyshim një sukses për futbollin në Europë.

“FFP është një regjim që klubet që duan të marrin pjesë në kompeticionet UEFA pranojnë ta respektojnë dhe bazohet në bashkëpunimin e klubeve për të deklaruar një pozicion financiar të plotë dhe të ndershëm. UEFA mund të verifikojë informacionet që merr, por duhet të llogaritë edhe faktin që këto informacione të jenë të sakta”.

“UEFA kryen një vlerësim vjetor të gjithë klubeve mbi kërkesat e FFP për të barazuar bilancin në bazë 3-vjeçare. Kjo përfshin vlerësim të thellë të pozicioneve financiare të klubeve në bazën informacioneve të vetë klubeve, por edhe një seri verifikimesh dhe analizash ndërmarrë nga UEFA. Nëse dalin informacione që mund të jenë të rëndësishme, UEFA do t’i përdorë për të krahasuar shifrat dhe për të kërkuar shpjegime, qartësime dhe prova nga klubi i interesuar.

“Nëse informacione të reja do të zbulojnë parregullsi të mundshme në çështjet që janë mbyllur në të shkuarën, këto çështje mund të rihapen dhe të ekzaminohen nga e para. Kjo linjë zbatohet për të gjitha klubet që kërkojnë licencën e UEFA-s dhe marrin pjesë në kompeticionet europiane për klube”.

Në rast se vërtetohen parregullsi, skuadrat mund të marrin dënime të ndryshme: kufizim numri lojtarësh për kupat e Europës, bllokim të parave të përfituara në kupat e Europës (rasti i Tiranës në Shqipëri) dhe deri në përjashtim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here