Ronaldo “Zot” i Champions-it, i vetëm ka fituar më shumë sesa historia e Juves

Dopio hapi mbi top, driblimi me të cilin Ronaldo liroi veten nga markimi dhe më pas ofroi asistin për golin e Manxukiçit në Ligën e Kampioneve ndaj Valencias ishte spektakolar, plot klas… Falë portugezit, prezenca në “Allianz Stadium” është shndërruar si një mbrëmje gala në opera, ku tifozët duhet të veshin kostumet e tyre më të mira, të mbërrijnë me kostume luksi dhe të shijojnë “simfonitë” dhe “baletet” që i garanton tifozërisë, e cila po tërhiqet gjithmonë e më shumë nga portugezi në një qiell me ëndrra të bukura.

Deri tani, shumë prej sukseseve të Juventusit kanë lindur nga koka dhe nga këmbët e Ronaldos. Në minutën e 58-të e 27 sekonda, CR7 ndodhet përpara Gabriel Paulistës në zonë, por aksioni nuk duket aq i rrezikshëm. Ai është me sytë nga qendra, i palëvizshëm, pa hapësira, por në minutën 58 e 29 sekonda, Juventusi kalon në avantazh.

Kristiano, në ato dy sekonda, kalon këmbën e djathtë mbi top dhe me të majtën sposton sferën për t’ia pasuar më pas Manxukiçit, gjithçka e ekzekutuar në pesë metra hapësirë. Një lëvizje e tillë vlen edhe kandidaturën për “Topin e Artë”, nëse “Onda Cero”, radio spanjolle të mos nënvizonte me forcë se fituesi do të jetë Modriç.

MË SHUMË SE JUVJA

Në atë gjest teknik, ajo që të godet është shpërthimi i tij. Ronaldo është një fuqi në shpejtësi, po ndryshon perceptimin e futbollit, sepse nuk është parë asnjë 33-vjeçar me atë kapacitet për të bërë diferencën në vetëm dy hapa të hedhur. Ndoshta pas 30 vitesh, ky aksion nuk do të mbetet shumë në memorie, por pa dyshim që sukseset e Ronaldos në Champions nuk do të harrohen kurrë, do të mbeten të përjetshme.

Jo më kot, ky turne është habitati i tij natyral, kompeticioni që e kontrollon prej vitesh, ku mes numrave mahnitës në karrierën e CR7-ës dy shkojnë përtej të gjithëve: 121 gola të shënuar deri tani dhe 100 fitore personale.

Po ta mendosh, i vetëm, portugezi ka fituar më shumë se në historinë e Juventusit, i ndalur në kuotën 91 fitore në Champions, ndërsa vetëm katër klube numërojnë më shumë suksese sesa vetë iberikasi: Reali i Madridit (155), Barcelona (141), Bajerni i Mynihut (132) dhe Mançester Junajtid (117). Të tjerat, të gjitha të tjerat, e shohin Ronaldon nga poshtë, nga Milani e Interi e deri tek Atletiko me shokë.

Por ndërkohë, jo vetëm klubet, por edhe lojtarë si Kasijas e Ksavi e panë që të përshëndeteshin, ashtu sikurse Lionel Mesi, rivali i përjetshëm i CR7- ës, i cili numëron 25 gola dhe 33 prezenca më pak, ndonëse “pleshti” i Barcelonës mposht Ronaldon për sa u përket golave të shënuar në fazën e grupeve (66). Shkurt, Kristiano Ronaldo është “Zot” i Champions-it.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here