Perez i fiksuar me Eriksenin, çelësi i merkatos mund të jetë… lojtari i Bajernit

Për të transferuar Kristian Eriksenin në Madrid, Reali do të përdorë kartën “Hames Rodrigez”. Mesfushori kolumbian i huazuar te Bajerni i Mynihut nuk e ka vendosur ende të ardhmen e tij dhe vetë ekipi gjerman nuk e di nëse do ta blejë kartonin apo do të vendosë ta rikthejë te “galaktikët”.

Dhe në pritje të një vendimi përfundimtar nga Gjermania, Florentino Perez dhe personat e tij të besueshëm të merkatos kanë si ide futjen e kolumbianit në tratativën për të transferuar mesfushorin e Totenhemit. Diçka e tillë do të bëhet për të zbutur disi shifrat e larta dhe marramendëse që kërkon presidenti i londinezëve, Daniel Levi, për kartonin e mesfushorit danez.

Ai kërkon 250 milionë euro, por Reali në këto momente nuk është gati që të bëjë një shpenzim të tillë. Por, duke parë nevojën që kampionët e Europës kanë në repartin e mesfushës dhe zërat që qarkullojnë për largimin e mundshëm të Iskos, Modriçit, por ndoshta edhe të Toni Krosit, atëherë duhet të fillojnë të projektojnë të ardhmen. Sepse tifozët madrilenë nuk ia falin Perezit një tjetër merkato të dështuar (si ajo e verës që lamë pas), por kërkojnë yje që të vazhdojnë rrugëtimin e suksesshëm dhe të lavdishëm në Europë. Eriksen shihet si zëvendësuesi ideal i Modriçit.

HAMES, I PAKËNAQUR Hames Rodrigez po kalon sezonin e dytë me Bajernin (është i huazuar nga Reali), por nuk ka bindur aspak që nga koha kur drejtimin e skuadrës e mori Niko Kovaç. Në këtë vit ai ka luajtur vetëm 12 ndeshje duke përfshirë ato të kampionatit dhe të Champions-it, por ka qëndruar në fushë nga fillimi në fund vetëm në 1 sfidë (humbjen ndaj Gladbahut). Problemet e shumta fizike, por edhe raporti jo i mirë me trajnerin kanë bërë që kolumbiani të mendojë të ardhmen e tij larg Mynihut. Por te Reali nuk do të ketë një shans të dytë dhe madrilenët mund ta përdorin si mundësi për të fituar disa miliona, ose për të ulur çmimin për ndonjë futbollist që kërkojnë (si në rastet Eriksen-Dibala).

Hames Rodrigez, pavarësisht se nuk ka shkëlqyer në vitet e fundit, vazhdon të konsiderohet nga shumë skuadra si një lojtar i fortë dhe me të ardhme. Juventusi mund ta transferojë për ta bashkuar me Kristiano Ronaldon, por edhe Napoli i Ançelotit e pëlqen. Në fund vendos Reali, i cili kërkon ta dërgojë te Totenhemi për të marrë Eriksenin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here