Piatek bind edhe Shevën: Po ndryshon fatin e Milanit…

Kristof Piontek ka bërë që në pesë ndeshje të shënojë 6 gola dhe vetëm në një muaj të bëjë të gjithë tifozët kuqezi që të dashurohen me të, por jo vetëm kaq… Ai ka bërë që shpresa e madhe, Gonzalo Higuain të harrohet shumë shpejt nga anët e “Milanelos”, por në të njëjtën kohë ka ndezur kujtimet e bukura që ofronte Andrij Shevçenko në kohët e Milanit të artë.

Dhe madje polaku me kaq sa ka treguar deri tani me bluzën kuqezi ka bindur edhe vetë legjendën Shevçenko, i cili në një koment të shkurtër për “Mediaset” u shpreh: “Piontek pati edhe një herë tjetër një impakt fantastik në ndeshjen e Milanit. Ai ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve, madje e ka bërë në çdo takim që ka luajtur deri tani me bluzën e Milanit.

Goli i parë ndaj Atalantës ishte i shumë i bukur, i jashtëzakonshëm do të thosha. Duket që është një futbollist me shumë cilësi. Diti të lexojë më së miri situatën dhe aksionin, duke paraprirë mbrojtësin në mënyrë të pabesueshme”, deklaroi tashmë trajneri i Kombëtares së Ukrainës.

Higuain kush? – Dhe më në fund, pas disa vitesh errësirë, Milani me sa duket ka gjetur shtegun e duhur për t’u ngjitur në nivelet e larta të futbollit italian. Merkato e janarit, me blerjet e Piontek dhe Paketas i ka dhënë limfë skuadrës së Gatuzos që gjatë 2019-ës jo vetëm që ka ndryshuar ritëm, por tashmë synon të mbërrijë “kushërinjtë” në vendin e tretë. Polaku dhe braziliani kanë anashkaluar faktorin moshë dhe janë kthyer ata vetë në faktorë vendimtarë. Mjaftuan pak javë për të fshirë kujtimin e hidhur të Gonzalo Higuanit.

Jo vetëm sepse Kristof Piontek shndërron në gol çdo top që prek, por sakrifikohet dhe lufton për shokët. Paraardhësi argjentinas nuk bënte asgjë nga këto, madje shumicën e kohës në fushë e kalonte duke sharë nga të katërta anët. Numrat mbase nuk tregojnë të gjithë të vërtetën, por është e sigurt që nuk gënjejnë, ndaj krahasimi mes ish-numrit 9 dhe atij 19 është vërtet i pamëshirshëm. Që nga fillimi i aventurës kuqezi, Piontek nuk ka shënuar vetëm në ditën e debutimit, më 26 janar, kur luante si zëvendësues vetëm 18 minuta, ndaj Napolit në kampionat.

Tri ditë më pas debuton në Kupë me fanellën e re, duke shënuar dy herë në 79 minuta. Përsëritja vjen ndaj Romës, kur shënon një gol në 87 minuta dhe ndaj Kaljarit në 65 minuta. Të shtunën ishte radha Atalantës me dy realizime në 68 minuta. Totali flet për 317 minuta, në të cilat ka shënuar 6 herë, praktikisht 1 gol çdo 53 minuta. Shifra të frikshme për polakun, që përveçse mbajnë Milanin në zonat e larta, nxjerrin në pah edhe deficitet e aventurës së Higuain te kuqezinjtë.

“Ciao” Gonzalo – Në pesë ndeshjet e fundit “Pipita” ka luajtur 180 minuta ndaj Fiorentinës dhe Frozinones pa shënuar. Një gol ndaj SPAL-it u duk sikur risolli qetësinë. Pikërisht duket. Higuain luan 111 minuta në Kupë, ku sfida u vendos nga Kutrone e për më tepër në kohën shtesë. Shansi i fundit për të lënë gjurmë ishte në Superkupë ndaj Juventusit. 19 minuta në fushë, pasi e niste garën nga stoli, por as mundësia për hakmarrje ndaj Juventusit nuk shfrytëzohet.

Ecuria e argjentinasit te Milani ishte një dështim total, me 10 gola e tre asiste në 26 prezenca. Shifra prej lojtari normal dhe që nuk mund të krahasohen me ato të pasardhësit polak. “Piontek donte 9-ën, por duhet ta meritojë”, deklaronte Leonardo teksa e prezantonte, me 23- vjeçarin që pranoi dhe fitoi sfidën. Sfidë golash, por edhe kampionësh. Si Liga, ku Milani kërkon të marrë pjesë në sezonin e ardhshëm.

Nga Panorama.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here