Marcelo është një lojtar i Juves, agjenti zbulon prapaskenat

Ndërsa në shtëpinë bardhezi janë të gjithë të përqendruar te rigjetja e formës ideale të skuadrës në pritje të ndeshjes së kthimit kundër Atletikos së Madridit, nga Spanja vijnë lajme të rëndësishme mbi atë që pritet të jetë merkato e kësaj vere.

Nëse deri tani asnjë nuk ka dalë për të përgënjeshtruar lajmin se Marselo do të jetë blerja e madhe e radhës nga ana e Juventusit, ai që i shton një tjetër “tullë” të rëndësishme kësaj tratative është menaxheri i Nikolas Taljafikos, mbrojtësit të majtë të Ajaksit:

“Kam informacione të sakta se klienti im është pjesë e listës së Realit të Madridit. Taljafiko është një objektiv i klubit spanjoll për këtë verë, sepse Marselo tashmë mund të quhet një futbollist i Juventusit. Marselo është e vërtetë që ka kërkuar dhe do të largohet nga Madridi në fund të këtij sezoni për të zbarkuar në Torino.

Dhe Reali, pasi ia ka lejuar brazilianit që të hapë bisedimet dhe të gjejë akordin me Juventusin, ka kontaktuar Ajaksin për të marrë informacione mbi klientin tim, Nikolas Taljafiko, që shihet si pasuesi i Marselos. Taljafiko nuk ka klauzolë me  Ajaksin dhe nëse Reali vjen me një ofertë konkrete, ne do të jemi të lumtur që të firmosim me madrilenët, pasi edhe Ajaksi na ka garantuar se nuk do ta frenojë në asnjë mënyrë klientin tim që të firmosë me një skuadër tjetër”, u shpreh menaxheri Rikardo Shliper.

Me pak fjalë, nëse Juventusi do të eliminohet përpara kohe nga Liga e Kampionëve sivjet, ndoshta ky lajm që ka sjellë në skenë agjenti i argjentinasit Taljafiko, pra blerjen e Marselos nga ana e bardhezinjve, ky mund të jetë një ngushëllim i mirë për tifozët e “Zonjës së Vjetër”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here