Borussia Dortmund bën mrekullinë dhe mposht Herthan me përmbysje në minutat e fundit

Borussia Dortmund ka fituar mbrëmjen e të shtunës një betejë të rëndësishme në luftën e saj për titullin kampion në Bundesligë, pasi ka mundur me përmbysje në transfertë Hetha Berlin me rezultatin 2-3. Një fund dramatik ai në kryeqytetin e Gjermanisë, me Hertha Berlin që ndonëse kaloi dy herë në avantazh, në fund u mposht, madje duke mbyllur takimin në inferioritetit numerik, pas daljes me karton të kuq të Ibisevic.

Kjo fitore i ka dhënë Dortmundit kryesimin provizor me tre pikë mbi Bayern Munich, me bavarezët që në kuotën e 57 pikëve, kanë një ndeshje më shumë në dispozicion.

Verdhezinjtë kanë përmirësuar kështu rekordin negativ, sipas të cilit në nëntë ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet numëronin vetëm dy fitore, ndërkohë që në duelin me kryeqytetasit e Gjermansië, Dortmund vuajti edhe tre mungesat e rëndësishme të Götze, Paco Alcacer dhe Witsel.

Sikur të mos mjaftonin problemet në kampin e tyre, Borussia Dortmund u përball me Hertha Berlin shumë kërkuese, me kurajo dhe të fuqishme, të karikuar edhe nga statistikat që flisnin në favor të vendasve. Gjithsesi Hertha Berlin nuk ka mundur dot të përmirësojë rekordin që regjistronte zero humbje në 4 ndeshjet e fundit në shtëpi kundër Dortmund.

Ishin pikërisht vendasit e Hertha Berlin ata që kaluan dy herë në avantazh në përballjen e të shtunës ndaj Borussia Dortmund, dhe në të dyja rastet me të njëjtin protagonist, Salomon Kalou. Ky i fundit ka vendosur rekord më vete, fillimisht kur realizoi golin e parë të takimit në minutën e 3 dhe 24 sekonda, për të regjistruar golin më të shpejtë të Hertha Berlin për këtë sezon në Bundesligë.

Miqtë kanë barazuar provizorisht në të 14’ me Delaney, që ka shënuar kështu golin e tij të tetë në transfertë, nga 9 gola në total në Bundesligë. Një barazim që ka zgjatur vetëm 20 minuta, sepse në të 35’ Kalou ka shënuar golin e tji të dytë personal në këtë përballje, duke i dhënë sërish avantazhin vendasve, pasi shndërroi në gol një 11-metërsh. Kalou është tashmë futbollisti i parë që shënon më shumë se një gol në ndeshje në të dyja takimet kundër Borussia Dortmund, që nga rasti i Heung-Min Son në sezonin 2012-2013.

Borussia Dortmund ka barazuar menjëherë pas rifillimit të lojës, kur në minutën e 47’ Zagadou ka shfrytëzuar atë asist të Sancho për të rivendosur ekuilibrat, me rezultatitin në shifrat 2-2. Në të 57’ Hertha pati të gjitha shanset të kalojë në avantazh, fillimisht me Grujic që goditi shtyllën e më pas me Kalou që finalizoi jashtë edhe pse me portën e boshatisur. Një gabim që i kushtoi shtrenjtë vendasve, të cilët në të 92’ u ndëshkuan nga Reus që fiksoi shifrat në 2-3.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here