Turqia pushton Shkodrën, Shqipëria e Panuccit dështon përsëri

Shqipëria e ka nisur me disfatë këtë fushatë të re kualifikuese, e vlefshme për Euro 2020, pasi u mund këtë të premte në “Loro Boriçi” të Shkodrës, me rezultatin 0-2 nga Turqia.

As disiplina aq e trumbetuar dhe as eksperimentet në formacion e në skema nuk kanë mundur dot të ndihmojnë trajnerin Christian Panucci që të përmirësojë imazhin e tij në drejtimin e kuqezinjve, që në sfidën ndaj Turqisë vinin me statistikat në favor të tyre, tashmë edhe ato të përmbysura.

Tashmë nga 11 përballje me Turqinë, Shqipëria numëron 4 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje, ndërkohë që ishin kuqezinjtë ata që kishin fituar me rezultatin 3-2 përballjen e fundit të zhvilluar në itin 2017, në një ndeshje miqësore. Shqipëria vjen në këtë fushatë kualifikuese pas dështimit në Ligën e Kombeve, aty ku u rendit në vend të tretë të Grupit C1, ndërkohë që Turqia ra nga Grupi B2.

Në fakt Shqipëria e ka nsiur me një start perfekt duke presuar në gjysmëfushën e Turqisë në 20 minutat e para. Mjaftueshëm për të regjistruar dy raste flagrante për gol, fillimisht për Balajn në të 14’, më pas me Balliun në të 20’, që të dy të ndalur në limite. Por kaq ka zgjatur lavdia e kuqezinjve.

Pas dy rasteve të shpërdoruara nga kuqezinjtë, vjen ndëshkimi turk. Burak Yilmaz ka kaluar Turqinë në avantazh 0-1 pasi ka përfituar dhe shfrytëzuar maksimalisht gafën e tretë radhazi të Gjimshitit në vetëm pak minuta, duke dërguar topin në rrjetë.

Uzuni në të 33’ ka çuar dëm rastin më flagrant për gol dhe barazuar shifrat, kur pas shërbimit perfekt nga Hysaj, ka depërtuar në zonë, vetëm pak metra nga porta nuk ka mundur dot të zotërojë topin, duke e goditur me gju dhe dërguar jashtë kuadratit.

Çalhanoğlu ka shuar thuajse çdo shpresë të kuqezinjve për një barazim, pasi në të 55’ ka realizuar një gol fantastik, produkt personal, por duke përfituar edhe nga hapësirat e vëna në dispozicion nga difensiva e përfaqësueses së Shqipërisë. Gjuajtja e tij e fuqishme nga jashtë zone është ndalur vetëm nga rrjeta, me Berishën të pafuqishëm për ta frenuar 0-2.

Asgjë për tu shënuar në favor të kuqezinjve në minutat e mbetura, pavarësisht ndryshimeve të tentuara nga tekniku italian Panucci, me Shqipërinë që ndonëse ka provuar të reagojë në limite, ka rrezikuar të çahet sërish në mbrojtje, pas gabimeve të shpeshta.

Pas kësaj disfate, Shqipëria renditet në vend të parafundit në Grupin H, me 0 pikë, po aq sa Andorra dhe Moldavia, ndërkohë që kryesojnë me 3 pikë Franca, Turqia dhe Islanda. Dita e hënë, datë 25 mars do të rikthejë në fushë të dy formacionet, përkatësisht Shqipëria do të luajë në transfertë ndaj Andorra, ndërsa Turqia do të presë në shtëpi Moldavinë.

Shqipëri-Turqi 0-2

Shënues: Burak Yilmaz 20’, Çalhanoğlu 55’

Shqipëria: Berisha, Iván Balliu, Hysaj, Veseli, Xhimshiti, Memushaj, Xhaka, Ismajli, Balaj, Uzuni, Abrashi.

Turqia: Mert Günok, Hasan Ali Kaldırım, Emre Belözoğlu, Okay Yokuşlu, Gökhan Gönül, Cenk Tosun, Çalhanoğlu, Mahmut Tekdemir, Merih Demiral, Burak Yılmaz, Kaan Ayhan.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here