Leclerc siguron pole-in e parë në karrierë, Ferrari dominon në Bahrain

Makina Ferrari ka dominuar provat zyrtare të Çmimit të Madh të Bahrein në Formula 1, duke i pozicionuar të dy pilotët e saj në dy vendet e para, piloti i ri francez Charles Leclerc ka siguruar “pole position”, i pari në karrierën e tij dhe natyrisht i pari edhe me makinën “kokëkuqe”, duke dhënë kohën 1’27”866.

Ai la pas shokun e skuadrës Sebastian Vettel me 3 të dhjetat më shumë.

Rezultati i sotëm ishte një kundërpërgjigje e shkëlqyer e makinës italiane pas zhgënjimit dy javë më parë në Australi. Në vendet 3-4 u klasifikuar dy makinat Mercedes, me Lewis Hamilton që la pas Valtteri Bottas, ndërsa i pesti u rendit Max Verstappen me Red Bull. Provat e sotme u zhvilluan me drita artificiale, ashtu sikurse do të zhvillohet edhe gara e nesërme (starti, ora 17:10).

Gjatë të 3 sesioneve të provave zyrtare të zhvilluara sot ishte Ferrari ai që dominoi në pistë, madje gjithnjë Leclerc ishte më i shpejtë se Vettel. “Kokëkuqja” është favorite edhe për garën e nesërme në pistën e Sakhir, ndërkohë që mirë u paraqiten edhe Hass, McLaren e Alfa Romeo, që siguruan “top-10” të parët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here