Po mahnit Italinë, Moise Kean thyen edhe rekordin e… Balotelit

Rekordet si lojtari më i ri debutues në Serinë A dhe në Champions me Juventusin, përveçse atyre si goleadori më i ri në historinë e Italisë që shënon dy gola radhazi, janë shkruar tashmë në kurrikulumin e Moise Kinit, por nga dje talenti dhe bomberi më i ri i bardhezinjve i shton vetes edhe dy rekorde të tjera, njëri historik, ndërsa tjetri sezonal. I pari ishte ai që sheh Kinin të zbresë nga froni Mario Balotelin për mesataren minuta/gola, duke qenë se me 19 vite e 31 ditë mbi shpatulla, Moises i janë dashur më pak ndeshje sesa Balotelit për të arritur te kjo shifër, por në të njëjtën kohë bëhet lojtari i dytë më i ri, që arrin të shënojë 8 gola në Serinë A (“Super-Mario e arriti këtë kur ishte 18 vjeç e 242 ditë).

Në të njëjtën kohë, Moise Kin i ka realizuar të tre golat e sivjetshëm në kampionat, me tri goditjet e para që ka bërë në portë. Të gjitha këto tregojnë forcën dhe instinktin prej “vrasësi” që ka në këmbët e tij numri 18 i “Zonjës së Vjetër”, i cili tregohet i përulur përpara gazetarëve, kundrejt deklaratës së bërë përpara ndeshjes nga trajneri Alegri, por në të njëjtën kohë premton se surprizat e tij nuk kanë përfunduar ende: “Nuk e dija që kam arritur apo jam në ndjekje të numrave të Balotelit, por pa dyshim që ky fakt më bën shumë të lumtur, ndonëse nuk e keni parë ende potencialin tim të vërtetë.

Unë jam gati që të vendos edhe shumë rekorde të tjera, por ndërkohë më duhet të vazhdoj të punoj. Alegri tha që nuk jam as Mesi e as Ronaldo? Trajneri ka të drejtë. Unë dhe ai ecim në të njëjtën linjë mendimi dhe siç e kam thënë, Alegrit i detyrohem shumë dhe është mbi të gjitha, puna që ai më jep të bëj dhe menaxhimi nga ana e tij, të cilat mua më kanë ndihmuar edhe më shumë që të arrij në këto nivele. Sigurisht që nuk jam as Kristiano dhe as Mesi, por unë po punoj që një ditë të jem në nivelin e tyre dhe do të punoj dyfish kundrejt të tjerëve, me shpresën se do t’i arrij një ditë”, tha Kin pas fitores me Empolin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here