Provokon Juventusi, zbulohet oferta e parë zyrtare për Mauro Ikardin

Edhe pse ka aq shumë sulmues apo qoftë edhe mesfushorë ofensivë në grupin aktual të Masimiliano Alegrit, Juventusi nuk ka reshtur kurrë së menduari për Mauro Ikardin, ndonëse një afrim i tij në Torino dhe rendimenti që ai mund të ofronte në radhët e “zebrave” ka përçarë shumë prej specialistëve italianë.

Gjithsesi, sipas asaj që tregon në mënyrë ekskluzive e përditshmja “Repubblica”, bardhezinjtë jo vetëm që mbeten të interesuar për argjentinasin, por “Zonja e Vjetër” ka bërë edhe ofertën e parë zyrtare për ish-kapitenin e milanezëve.

Shifra e vënë në tavolinë nga kampionët e Italisë është 50 milionë euro dhe nuk kanë ndërmend që të lëvizin prej saj, edhe pse ajo është shumë larg klauzolës prej 110 milionësh që pretendon ose pretendonte Interi se lojtari mund të vlente, në rast të një shitjeje në të ardhmen.

Në të njëjtën kohë, Juventusi i ka bërë me dije administratorit zikaltër, Xhuzepe Marota, se jo vetëm nuk ka ndërmend që të mendojë një tratativë shkëmbimi kokë më kokë mes “Mauritos” dhe Paulo Dibalës, por ky i fundit nuk është në shitje për asnjë prej skuadrave italiane, ndonëse dyert për klubet e huaja janë të hapura për të sjellë oferta.

Duke parë gjithçka ka ndodhur mes Ikardit dhe Interit në këto dy muaj të fundit dhe aq më shumë pas shpërthimit të Spaletit, pas ndeshjes së humbur me Lacion (dje trajneri bëri prapakthehu), të gjitha gjasat janë që numri 9 i Interit do të lërë zikaltrit në fund të sezonit dhe sigurisht që Juventusi, i cili e tentoi edhe vjet, madje e kishte në dorë, siç është konfirmuar edhe nga bashkëshortja-menaxhere, Vanda Nara dy muaj më parë, do t’i ofrojë futbollistit të njëjtën kontratë që kishin përpiluar vjet, e thënë më qartë: 8 milionë euro në sezon neto (pa bonuse) për 5 vitet e ardhshme. Tani i takon Interit dhe Ikardit të zgjidhin gjërat, sepse Juvja nuk ka ndërmend të lëvizë nga propozimet e saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here