Këto janë rekordet negative që Reali mund t’i vendos këtë sezon

Një katastrofë në të gjitha frontet, duke nisur nga trajnerët: tre të tillë në të njëjtin sezon, në fillim Lopetegui, pastaj Solari dhe tashmë Zidan, me këtë të fundit që dukej si njeriu i mrekullirave, por edhe seria e tij pozitive u ndërpre gjithashtu në Valencia. Por mbi të gjitha, ajo që tërbon tifozërinë madrilene është numri i golave të pësuar.

Reali pëson mesatarisht 1.24 gola për ndeshje në kampionat (36 të pësuar në 30 ndeshje, gati dyfishi i Atletikos), në Champions ka pësuar 10 gola (1.25 gola mesatarisht për ndeshje), 9 gola në Kupën e Mbretit (mesatarja 1.12), 4 gola të pësuar vetëm në finalen e Superkupës së Europës si dhe 1 gol i pësuar në dy ndeshje të Botërorit për Klube. Shifra totale është 60 gola të pësuar në 49 takime të këtij sezoni. Numerikisht, në Spanjë kanë bërë vetëm Hueska dhe Sevija, gjithashtu me nga 60 gola të pësuar, por në 32 ndeshje të luajtura, që do të thotë se edhe këto dy skuadra mesatarisht pësojnë më pak gola për ndeshje sesa Reali.

HUMBJET – Ndeshja kundër Valencias ka përfaqësuar humbjen e 15-të sezonale: 9 në kampionat, 3 në Champions, 2 në Kupën e Mbretit dhe 1 në Superkupën e Europës. Herën e fundit që Reali kishte numëruar 15 humbje ishte në sezonin 1993-1994, kur e mbylli La Ligan në vendin e katërt dhe u eliminuan në çerekfinalet e Kupës së Kupave në dëm të PSG-së, por në të njëjtën kohë turpërohet edhe nga Tenerife në Kupën e Mbretit. Gjithsesi, kohë për të vendosur rekordin më negativ të historisë për Realin ka ende, sepse nga fundi i kampionatit mungojnë ende 8 ndeshje.

Për të thyer çdo rekord negativ të mundshëm, skuadrës së Zidanit do t’i mjaftonte të humbte gjysmën e ndeshjeve të mbetura (4 nga 8) për të barazuar sezonin më të “zi” të historisë së klubit, atë me 19 humbje në vitin 1985, ndonëse në atë sezon ata arritën që të ngushëllohen me fitoren e Kupës UEFA, përballë hungarezëve të Videotonit, ndërsa në kampionat e mbyllën të pestët në renditje.

PIKËT – Në historinë e tij si klub, Reali nuk e ka mbyllur kurrë me një distancë më të madhe se 17 pikë nga rivalët historikë të Barcelonës. Aktualisht, ata janë 13 pikë prapa katalanasve, por duke menduar se duhen luajtur ende 8 ndeshje deri në fund (24 pikë në lojë), sigurisht që shanset që rekordi negativ të barazohet apo edhe të thellohet ekziston. Dhe e gjithë kjo, si për ironi të fatit, ka ndodhur në sezonin që nisi me shitjen e Kristiano Ronaldos te Juventusi dhe që paraprin, me shumë mundësi, një revolucion të detyruar për sezonin e ardhshëm në shtëpinë “merenge”./PanoramaSport/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here