Barcelona nuk ka arritur të fitojë ndeshjen e javës së 32-të të kampionatit spanjoll. Katalanasit kanë barazuar 0-0 ndaj vendit të fundit Huesca.
Me pikën e fituar, kampionët në fuqi shkojnë 12 pikë mbi vendin e dytë Atletico Madrid.
Kjo ishte skuadra më e re e Barcelona-s (24 vite e 133 ditë) këtë sezon në La Liga, Valverde ka zgjedhur t’i besojë të ardhmes në prag të ndeshjes së kthimit ndaj Manchester United në çerekfinalen e Champions League.
Messi nuk ishte i grumbulluar për shkak të dëmtimit të pësuar ndaj Man United në mesjavën e kaluar. Pra ter Stegen ishte lojtari i vetëm nga ndeshja e fundit që e nisi nga minuta e parë.
Alena e nisi që nga minuta e parë, po ashtu dhe Wague me Puig, të gjithë lojtarë të ekipit të dytë që kanë dalë nga akademia.
Huesca, megjithëse në vend të fundit të La Liga-s, luajti ashtu siç duhet të luhet ndaj kryesuesve, pa frikë dhe duke dalë përpara sa herë u jepet mundësia.
Rastet më të mira i ka Barça, por edhe vendasit kanë rrezikuar disa herë portën e ter Stegen.
Në fund, miqtë nuk arritën të zhbllokonin rezultatin megjithëse disa herë i shkuan shumë afër dhe duhet të kënaqen me një pikë.