SPAL prish festën e Juventusit, zhgënjejnë të përzgjedhurit e Allegrit (VIDEO)

Juventus ka pësuar humbjen e dytë në këtë sezon të Serisë A.

Ajo që duhej të ishte ndeshja e festës për titullin e tetë radhazi në Serinë A, është kthyer në një makth për bardhezinjtë, të cilët janë mposhtur 2-1 me përmbysje në fushën e Spal-it.

Një rezultat që është ndikuar edhe nga zgjedhjet e Allegri-t, i cili ka bërë nëntë ndryshime në formacionin titullar, duke hedhur në fushë një ekip me moshën mesatare 25 vjeç e 114 ditë, më e ulëta për një skuadër të Juventus-it në një ndeshje të kampionatit italian që nga 1998-ta.

Dhe të mendosh se gjithçka ka nisur mirë për bardhezinjtë, që kanë kaluar në avantazh pas 30 minutash lojë me Moise Kean, i cili ka realizuar gjashtë gola në  gjashtë takimet e fundit radhazi që ka luajtur me klubin dhe kombëtaren.

 

 

Spal, që lufton për të siguruar mbijetesën, nuk është dorëzuar dhe në pjesën e dytë ka përmbysur gjithçka. Në fillim ka barazuar me Bonifazi-n (49′) dhe më pas ka realizuar të dytin me veteranin Floçari (74′).

Torinezët tani do të shpresojnë te një dhuratë nga Chievo, që nesër do të presë Napoli-n në shtëpi. Në rast të një barazimi mes këtyre dy ekipeve, “Zonja” do të shpallej kampione. Në rast se ekipi i Ancelotti-t do të fitojë, Juventus do të ketë mundësinë ta festojë titullin të shtunën e ardhshme kundër Fiorentina-s para publikut të saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here