Kapiteni De Ligt në delir pas kualifikimit: Ishte një çmenduri

Matijas De Ligt shënoi golin e kualifikimit për skuadrën e tij pas një gjuajtjeje perfekte me kokë. 19-vjeçari mund të konsiderohet pa frikë një nga mbrojtësit më të mirë në botë. Dhe të mendosh që është ende në hapat e parë. Ishte një natë magjike ajo e djeshmja, jo vetëm për skuadrën holandeze, por edhe për vetë lojtarin. Pas takimit emocionet ishin të mëdha. Mbrojtësi nuk gjen fjalët të përshkruajë atë që ndien.

“Nuk është normale, nuk kam fjalë për ta përshkruar”, ishin fjalët e para të kapitenit të Ajaksit. “Arritëm sërish të përmbysnim një rezultat në favorin tonë”, iu referua ai një eliminimi të mëparshëm të Realit të Madridit nga skuadra holandeze. “Treguam edhe një herë se jemi një skuadër shumë e fortë dhe se mund t’ua bëjmë të vështirë edhe skuadrave të mëdha. Eliminuam Realin e Madridit dhe Juventusin, dy kandidatët për të fituar kompeticionin. Jemi shumë krenarë, tifozët janë krenarë, qyteti gjithashtu është krenar”. Kapiteni pranoi se skuadra e tij nuk e filloi mirë ndeshjen.

“Stadiumi ishte shumë i zhurmshëm, e kishim të vështirë ta dëgjonim trajnerin. Është mirë për vendësit, por ishte e vështirë për ne. Ata na e bënë të vështirë në fillim. Por në fund morëm një rezultat të artë”. Gjithsesi, 19-vjeçari pranon se ka ende vend për përmirësim. “Kishim shumë raste për shënim, por i shpërdoruam ato, kjo na bëri të luanim mendsh. Goli? Jam shumë i lumtur që ishte ai që solli kualifikimin. Topi ishte i lartë, mendova me vete se mund ta arrij. Dhe ashtu bëra”.

Kristiano Ronaldo që shënoi golin e avantazhit në pjesën e parë ishte në hije në 45 minutat e dyta. Kjo falë një loje të shkëlqyer të De Ligt. “1-1 ishte një rezultat i mirë për ne. Në pjesën e dytë ishim më të qetë dhe ata më të nervozuar”. Kapiteni nuk ka asnjë preferencë për sa i përket kundërshtarit të radhës. “Do të vazhdojmë të japim më të mirën tonë dhe të shohim si do të shkojë deri në fund. Do të jetë shumë e vështirë ndaj çdokujt, por mezi presim të luajmë ndeshjen e radhës”. Hera e fundit që Ajaksi arriti të shkojë në finale ishte në vitin 1997, 22 vite më parë. “Akoma nuk kisha lindur kur kjo gjë ka ndodhur”, përfundoi duke buzëqeshur njeriu i ndeshjes ndaj bardhezinjve pas fitores historike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here