Dilema Icardi, dy yje në listë për ta zëvendësuar argjentinasin

Interi ia doli të mbante larg ndjekësit, falë pikës së çmuar marrë ndaj Romës, ndaj tashmë drejtuesit zikaltër po shohin nga sezoni i ardhshëm, edhe pse nuk ka mbaruar asgjë dhe duhen ende pikë për të siguruar vendin e tretë. 

Me apo pa Luciano Spallettin në stol, Interi duhet të vendosë një herë e mirë për repartin e sulmit. Lautaro Martinez ka bindur sa herë ka luajtur, është e ardhmja e sulmit zikaltër, por dilema e madhe është Mauro Icardi.

ICARDI – Në ndërtimin e Interit të Spallettit, apo edhe Antonio Contes nëse vjen ndryshimi i bujshëm në verë, lojtar kyç është sulmuesi qendror, i aftë të shënojë shumë, por edhe të ndihmojë skuadrën. Me 123 gola në 214 ndeshje, Icardi duket i paprekshëm, por sezoni aktual ka qenë i zi për të dhe Interin, ndërsa Wanda Nara ka bërë gjithçka për të shtuar tensionin. Në verë priten oferta, nëse ndonjë prej tyre kënaq Interin, divorci kënaq të gjithë.

LAUTARO – Nga kriza Inter-Icardi ka përfituar më së miri Lautaro Martinez, 6 gola dhe prani me peshë në 22 ndeshjet ku ka luajtur, jo gjithnjë titullar. Cilësitë teknike dhe sjellja e tij kanë bërë për vete të gjithë, por Lautaro nuk jep më të mirën e vet kur luan si sulmues i vetëm dhe Interi po mendon të gjejë një futbollist që ta kompletojë në sulm.

DY ALTERNATIVA – Edon Dzeko nuk është më adoleshent, sepse është 33 vjeç, por ka shënuar 86 gola në 174 gola te Roma dhe të shtunën tregoi sërish sa vlen.

Kontrata e boshnjakut skadon në 2020 dhe paga 4.5 milionë euro i rëndon shumë Romës, që kërkon rreth 15 milionë euro për ta shitur sulmuesin.

Ndërkaq, Interin e josh më shumë ideja Romelu Lukaku, autor i 42 golave në 94 ndeshje me Manchester United. Klubi anglez po mendon spastrim total dhe Interi kërkon të përfitojë, por konkurrenca për belgun është e madhe dhe çmimi goxha i lartë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here