Analiza/ Shkodran Mustafi, rënia e madhe e kampionit të botës

Në një ditë kur Mançester Junajtid është rrahur keq, 4-0, dhe kur Liverpuli ka fituar për t’u kthyer në vendin e parë në Premier Ligë, futbollisti shqiptar, Shkodran Mustafi, ia ka dalë të jetë prej më të përfolurve në futbollin anglez. Mbrojtësi i qendrës, Mustafi, të dielën bëri gabim të rëndë, ndërsa Arsenali pësoi 3-2 në shtëpi nga Kristal Palas.

Dhe nëse për bazë merren shkrimet e tifozëve nëpër rrjetet sociale e po ashtu qëndrimet e analistëve, atëherë periudha e Mustafit tek Arsenali mund t’i jetë afruar fundit. Mustafi reagoi keq në tentim për të bllokuar Uillfrid Zahan, me synim që portieri i Arsenalit të arrinte i pari te topi.

Por Zaha shmangu lehtë mbrojtësin shqiptar dhe shënoi gol për Kristal Palasin. Ai moment mund të jetë vendimtar për karrierën e Mustafit tek Arsenali. Ka kohë që ai nuk është i pëlqyer te tifozët e klubit londinez, por të dielën mbrëma dhe të hënën komentet ndaj tij ishin shumë negative dhe me plot fyerje nga më të ndryshmet. Sipas “express.co.uk”, Mustafi ishte fajtor në të tre golat e pësuar nga Arsenali, veçanërisht në të dytin.

Sipas këtij mendimi, Arsenali do të dëgjojë ofertat për mbrojtësin e qendrës kur të hapet merkato në fund të edicionit aktual. Ish-ylli i Arsenalit, Martin Kin, ka kritikuar paraqitjen e Mustafit në ndeshjen e së dielës. “Ai ishte plotësisht jashtë. Bëri një gjë që as fillestarët nuk e bëjnë. Puna duhet të bëhet në stërvitje, jo në ndeshje. Është shumë e lehtë. Te goli i Zahas, ai u mposht në një duel force. Vendimet e gabuara të tij po i kushtojnë skuadrës.

Gabimet individuale po vijnë në momente të rëndësishme”, ka thënë Kin. Tifozët kanë qenë edhe më të ashpër, duke iniciuar edhe peticione të çuditshme në llogari të Mustafit, ish-kampionit të botës me Gjermaninë. Ndër të tjera, ata kërkuan edhe “burgosjen e tij”. Aventura tek Arsenali duhej të ishte një pikë e lartë në karrierën e 27-vjeçarit, por së fundi është kthyer në periudhë për t’u harruar. Mustafi ka pritur gjatë për të shpërthyer në nivel europian.

Pas vështirësive tek Evertoni ku nuk ia doli të depërtonte në ekipin e parë, ai kaloi te Sampdoria në Itali dhe luajti në Serinë B e më pas në Serinë A. Pas paraqitjeve të mira, karriera e tij mori hov, sidomos me ftesën që iu bë nga Gjermania për Botërorin e vitit 2014. Atë vit kaloi te Valencia në Spanjë dhe pati dy vite shumë të mira. Në vitin 2016 u transferua tek Arsenali për rreth 35 milionë paund. Dhe tani një pjesë e opinionit në Angli po e vlerëson atë transferim të dështuar.

Nuk është pritur një trajtim i tillë tek Arsenali për Mustafin, që në pranverën e vitit 2014 befasisht u bë pjesë e planeve të Gjermanisë. Asokohe kishte një fije shprese se lojtari me prejardhje nga shqiptarët e Maqedonisë do të mundte të vendoste për Shqipërinë. Por paraqitjet e mira në Serinë A i mundësuan ftesën për disa miqësore para Botërorit e më pas u ftua edhe për Botëror pas dëmtimit të një lojtari tjetër të Gjermanisë.

Në Botëror luajti në tri ndeshje, ndërsa në tri të fundit mungoi për shkak të dëmtimit muskulor. Por fitoi titullin e botës me Gjermaninë. Ai është ftuar thuajse rregullisht deri në tetor të vitit 2017, por ka luajtur pak. Prej 2017-ës nuk po ftohet më as nga Gjermania. I ka dy gola në 20 ndeshje për përfaqësuesen e madhe gjermane. Pas kritikave të shumta të tifozëve e analistëve, Mustafit në mbrojtje është munduar t’i dalë trajneri i Arsenalit, Unai Emeri.

“Ne mund të flasim për lojtarët individualisht, por ata ndonjëherë mund të luajnë mirë e ndonjëherë jo. Por unë preferoj të flas për konstanten e gjithë sezonit. Mendoj se të gjithë lojtarët po ndihmojmë dhe të gjithë lojtarët po bëjnë paraqitje të mira. Kur përballesh me lojtarë si Benteke apo Zaha, mund të vuash më shumë se në situata tjera”, ka thënë Emeri.

Ai është pyetur nëse mendon se Mustafi ishte konstant gjatë edicionit aktual. “Në tërë sezonin mendoj se ai ishte konstant. Po flasim për secilën ndeshje”. Mustafi këtë edicion ka 28 ndeshje në Premier Ligë dhe 35 gjithsej. Me irritimin aktual të tifozëve, klubi, por edhe vetë ai mund të jenë duke menduar për lëvizjen e radhës në karrierë.

PANORAMASPORT.AL

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here