Gattuso bën gati valixhet, Maldini ka piketuar trajnerin e ri të Milanit

Eliminimi i Milanit nga Kupa e Italisë ka thelluar edhe më tej krizën e kuqezinjve dhe ndërlikuar pozitat e trajnerit Gennaro Gattuso.

Kupa e Italisë ishte një urë shpëtimi për “ringhio”, por tashmë duket se fati i tij është i shkruar: Ai do të lërë stolin e kuqezinjve në fund të sezonit.

Leonardo dhe Paolo Maldini kanë patur një takim “kokë më kokë” me trajnerin në Milanello pas eliminimit, ku dhe kanë diskutuar për situatën. Milani është ende në garë për një vend në Champions League dhe sfida me Torinon është vendimtare për vendin e katërt.

Gjithsesi, duket se edhe një vend në Champions League nuk e shpëton Gattuso, ndërkohë që sipas “calciomercato” përflitet se pasardhësi i tij është Maurizio Sarri, trajneri aktual i Chelsea. Ai që “sponsorizon” kandidaturën e Sarri është Paolo Maldini, që beson te përvoja e Sarri, në prag-divorci me Chelsea.

Kjo nuk është hera e parë që Sarri përmendet si kandidaturë e Milanit, pasi ai ishte i preferuar edhe nga Galliani disa vite më parë, por nuk pranoi Berlusconi (zgjodhi Mihajlovic). Në rast se Sarri vjen te Milani bashkë me të mund të vijë edhe sulmuesi Lorenzo Insigne, aktualisht te Napoli.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here