Chiellini: Me gjithë respektin, por Interi e kuptoi kush është më i forti

Xhorxho Kielini u rikthye të luajë pas një muaji mungesë për Juventusin, me kapitenin që në fund të ndeshjes me Interin nuk ngurron që të thumbojë zikaltrit, duke u nisur nga paraqitja e bërë në pjesën e dytë nga skuadra e tij:

“E vërteta është që duhet ta largojmë nga trupi mendimin se si mund të kishin shkuar ndryshe gjërat, pasi kjo është mënyra e vetme për të zbritur në fushë i përqendruar. Ne jemi me fat që kemi mundësi të luajmë këto ndeshje të mëdha, edhe kur gjithçka është mbyllur, por pas një pjese të parë të luajtur pa shumë qejf, në të dytën u zgjuam dhe vendosëm të luajmë siç dimë të bëjmë ne. Doli në pah Juventusi i vërtetë, që e vrau kampionatin, por edhe ndaj Interit sot (dje) e tregoi se cila ishte skuadra më e fortë. Vetë Interi e kuptoi se kush është më i forti në Itali gjatë pjesës së dytë, kur e patëm mundësinë që edhe ta përmbysnim ndeshjen. Çfarë i thamë njëri-tjetrit në dhomat e zhveshjes? Asgjë të veçantë, thjesht që të fillojmë të luajmë siç dimë ne. Ronaldo? Me Kristianon e nis gjithmonë ndeshjen me 1-0. Është një jashtëtokësor dhe do na ndihmojë që të fitojmë ende shumë në të ardhmen”, tha mbrojtësi.

PJANIÇ – Përpara gazetarëve u ndal edhe Miralem Pjaniç, por më shumë sesa për Interin, fantazisti i Juves është i projektuar te sezoni i ardhshëm. “Luajtëm përballë një Interi që kishte shumë më motivime kundrejt nesh për të luajtur në pjesën e parë, por në të dytën gjërat shkuan ndryshe, sepse nuk donim që ta humbnim këtë ndeshje. Duhet të vazhdojmë që t’i fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund, edhe pse ndoshta spina mund të jetë stakuar, por këto takime të mbetura mund të na ndihmojnë që të provojmë gjëra të reja. Asisti me thembër për Ronaldon? Ishte një pasim i bukur, por Ronaldo shënoi një gol po aq të bukur dhe shumë të rëndësishëm për karrierën e tij. 600 gola janë diçka e jashtëzakonshme, por ai dhe ne të gjithë e dimë se cili ishte objektivi ynë. Prandaj, pas eliminimit ndaj Ajaksit sivjet, sezonin e ardhshëm fitimi i Champions-it është një detyrim për ne juventinët”, nënvizoi Pjaniç.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here