Valverde del hapur: Duam tripletë, Bardhi na ngriu zemrën

Ernesto Valverde tregon emocionet e para të titullit kampion dhe thotë se fitorja ndaj Levantes nuk ishte aspak e lehtë. Trajneri katalanas sjell ndërmend menjëherë shtyllën e Enis Bardhit dhe zbulon pse Mesi e kishte nisur ndeshjen nga stoli. “Kishim shumë tension në fundin e ndeshjes dhe rivalët na vunë në vështirësi. Mendoj se ishte vetëm çështje emocionesh. Shtylla e tyre në fund na bëri me zemër dhe ne nuk po reagonim. Por për fat ia dolëm ta fitonim këtë ndeshje”, tha Valverde për takimin. Ai foli në tërësi edhe për titullin.

“Të fitosh një titull me distancë pikësh është diçka mjaft e bukur. E kemi bërë realitet për dy vite radhazi dhe jemi shumë të lumtur. Njerëzit tanë dhe tifozët janë krenarë për ne”, vazhdoi më tej timonieri i katalanasve. I pyetur pse Mesin e kishte lënë në stol, ai tha se ishte strategji. “Unë e kisha të qartë që Mesi do të luante dhe ai gjithashtu e dinte që do të aktivizohej për një pjesë. U aktivizua dhe shënoi gol, sepse ai shënon gol nga të gjitha anët”, përfundoi trajneri kampion i Spanjës.

BARTOMEU- Nëse trajneri nuk donte të përqendrohej tek objektivat e tjera, presidenti Bartomeu tha se kjo skuadër do të luftojë për të fituar tripletën. “Nuk duhet të fshihemi. Tripleta është objektivi ynë dhe jemi shumë pranë realizimit të saj. E dimë që nuk është e lehtë dhe na presin ndeshje të vështira, por ky ekip nuk ka limite. Jam shumë i lumtur sepse kampionati nuk fitohet lehtë këtu. Djemtë kanë bërë diçka të jashtëzakonshme dhe luftuan në çdo ndeshje për të marrë titullin e parë sezonal”, tha Bartomeu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here