Paratici godet përsëri, Juventus transferon një tjetër yll me parametra zero

Pavarësisht lamtumirës së Beppe Marotta nga Juventusi, merkato me parametra zero nuk del jashtë mode në Torino.

Pas blerjes së Aaron Ramsey, që vjen nga Arsenali në verë, bardhezinjtë, sipas “Tuttosport”, kanë futur në “rreth të kuq” një xhevahir tjetër, Adrien Rabiot.

Mesfushori i ri francez, i lindur në vitin 1995, gjithmonë e ka pëlqyer Juventusin, por deri para pak javësh dukej i destinuar të largohej nga PSG për të kaluar te Barcelona.

Në fund, megjithatë, kërkesat e nënës menaxhere, Veronique, e hodhën në erë marrëveshjen. Kësisoji, Paratici do të kthehet në veprim për të marrë një lojtar me përvojë ndërkombëtare dhe me mjaft perspektivë. Për këtë do të negociojë me nënën e Rabiot.

Duke marrë parasysh problemet e këtij sezoni në mesfushë, Juventusi, përveç Ramsey, synon të blejë një tjetër lojtar në këtë repart. Rabiot, si një transferim i lirë, do të ishte shans ideal për t’u shfrytëzuar nga kampionët e Italisë. Megjithatë, bardhezinjtë nuk ndalin së ëndërruari për goditjen e madhe. Në këtë kuptim, ata vazhdojnë të monitorojnë nga afër situatën e Pogba dhe Ndombele.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here