Zyrtare: Inter rinovon me yllin e skuadrës

Eshtë zyrtare. Interi ka njoftuar se ka rinovuar kontratën me mbrojtësin Milan Skriniar, e cila përfundonte në vitin 2022. Marrëveshja e re, e arritur mes palëve, do të përfundojë një vit më vonë, më 2023.

“Së bashku, sepse së bashku jemi më të fortë. Milan Skriniar dhe Inter kanë të njëjtat horizonte dhe kjo është arsyeja pse e kemi zgjatur kontratën e mbrojtësit sllovak deri më 30 qershor 2023”,– shkruhet në njoftimin e klubit zikaltër.

Vetë Skriniar u shpreh pas zyrtarizimit të rinovimit me zikaltrit: “Jam i lumtur dhe krenar që kam mundur ta vesh këtë fanellë. Tani duam të bëjmë një hap cilësor përpara. Këtë sezon na mungon edhe një fitore për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, pastaj në të ardhmen do të përpiqemi të arrijmë sa më lart të jetë e mundur. Tifozët, trajneri dhe klubi më dhanë besim, i kam luajtur të gjitha ndeshjet. Gjithmonë kam qenë shumë i lumtur tek Interi. Tani presim ta mbyllim kampionatin në vendin e tretë, por për këtë na mbetet të luajmë edhe dy ndeshje”.

Skriniar është rritur ndjeshëm tek Interi, që kur u ble nga Sampdoria. Paraqitjet e sllovakut kanë qenë mbresëlënëse në dy sezonet e para te zikaltrit, ku u kthye menjëherë në titullar të padiskutueshëm dhe lider i mbrojtjes. “Ekspozimi” i tij në Champions bëri që klubet më të mëdha të Europës të interesohen për të, mirëpo Inter e bëri të qartë se nuk e lëshonte pa 80 milionë euro.

Në janar ishte Pep Guardiola, ai që telefonoi zikaltrit dhe kërkoi informacion për qendërmbrojtësin. Për më tepër, drejtuesit e Manchester City u takuan me agjentin e lojtarit, por në fund ishte vetë Skriniar, që nuk preferoi të lëvizë nga Milano. Sipas medias italiane, Skriniar, në bazë të kontratës së re, do të marrë pagë 3 milionë euro në sezon, plus bonuse të tjera, në vitet e ardhshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here