Interi i së ardhmes, “gjenerali” Conte e nis me Hysajn. Ofertë zyrtare nga zikaltërit

Antonio Konte pritet që të zyrtarizohet për çështje orësh, ndërsa Xhuzepe Marota ka nisur të vërë në zbatim planin për Interin e të ardhmes, i cili nis me emrin e një shqiptari në krye të listës së merkatos. Bëhet fjalë për Elseid Hysajn, i përfolur prej shumë kohësh si një prej preferencave të drejtuesve zikaltër, por ndoshta kjo verë do të jetë ajo e duhura për të firmosur me zëvendëskapitenin e Kombëtares së Shqipërisë.

Hysaj

Madje, për vetë shkodranin 25-vjeçar do të ishte realizimi i ëndrrës më të madhe të karrierës ndoshta, duke qenë se Hysaj është një interist i zjarrtë i deklaruar dhe pa dyshim që një akord dhe një kontratë me skuadrën e tij të zemrës, do të ishte dhurata më e bukur që mund t’i rezervonte karriera e tij deri në këtë moment. Dhe duke parë të gjitha zërat që qarkullojnë, bisedimet duken në rrugën e duhur, sepse nga njëra anë do të jetë edhe vetë Napoli, i cili është gati që t’ia bëjë shumë më të lehta gjërat Xhuzepe Marotës. Drejtuesit e klubit të kaltër, pavarësisht se në kontratën me Elseid Hysajn kanë një klauzolë prej 50 milionë €, nuk do ta respektojnë atë, por kanë ulur pretendimet e tyre deri në 30 milionë dhe për këtë arsye dje ka ardhur edhe oferta e parë zyrtare e Interit.

Radio napolitane, “Kiss Kiss”, ka konfirmuar se administratori i klubit milanez dje i ka bërë një ofertë të parë prej 25 milionë eurosh Aurelio De Laurentisit për kartonin e mbrojtësit të djathtë, e cila është shumë pranë pretendimeve ekonomike të Napolit. Për momentin, nga selia e nënkampionëve të Serisë A nuk ka ardhur asnjë përgjigje, por ndoshta këmbëngulja që Interi po shfaq për Elseid Hysajn dhe fakti se mes dy klubeve gjithmonë ka pasur një marrëdhënie tepër pozitive, të gjitha gjasat janë që këtë verë, futbollisti shqiptar ta nisë fazën përgatitore me bluzën e skuadrës, për të cilën bën tifozllëk dhe nën urdhrat e “Gjeneralit” Antonio Konte.

Oferta zyrtare e bërë ditën e djeshme nga administratori Xhuzepe Marota tregon sesi Interi kërkon të përshpejtojë akordin me Napolin dhe futbollistin, duke qenë se për Hysajn ka dy oferta të rëndësishme edhe nga Anglia (ajo që dihet si e sigurt mban emrin e Çelsit, tjetra nuk raportohet), por e sigurt është se nëse do të ishte në dorë të mbrojtësit anësor, zgjedhja e parë do të ishte Interi, ku do ta priste edhe një pagë më e lartë prej 2.7 mln € neto në sezon (te Napoli përfiton 1.6 mln në vit).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here