“Milani në rrugën e duhur”, rrëfehet Fabio Capello

Fabio Kapelo, 50 vite në futbollin elitar. Ish-trajneri është rrëfyer 360 gradë për “Corriere Dello Sport”, ku nuk ka ngurruar të japë mendimet e tij për futbollin në përgjithësi dhe skuadra të veçanta, që në një moment apo një tjetër, kanë përbërë etapa të rëndësishme të karrierës së tij.

 

Ta nisim nga Roma?

Një kantier në ndërtim. Nëse lejojnë Xhekon të largohet, do t’ia ndiejnë mungesën patjetër.

Ju kujtoj se ikën edhe Toti me De Rosin.

Duhet vlerësuar si duhet çdo moment. Sot, futbolli, por edhe jeta, funksionojnë në bazë të momentit. Nuk mund të presësh të shpërblehesh gjithmonë për të kaluarën. Maldini priti dhjetë vjet për t’u kthyer te Milani. Del Piero iku dhe nuk është kthyer më te Juvja. Edhe Bufon po kthehet, sepse pas një viti do të jetë në bordin drejtues të klubit.

Verdhekuqtë humbën edhe Manolasin. Në Napoli janë shumë të lumtur.

Normale. Roma ka humbur shumë, ndërsa Napoli ka fituar po aq më këtë lëvizje. Manolas dhe Kulibali janë një mbrojtje fantastike dhe garantojnë rezultate.

Mbrojtësit janë gjithnjë e me të rrallë. Juves i duhen 70 milionë euro për De Ligtin.

Mendoj se është veprimi më i saktë të blihen lojtarët e duhur në vend që t’u kërkohet trajnerëve të shpikin pozicione apo interpretime. Klop nuk ishte budalla që bleu Van Dajkun. Shpenzoi shumë, por pati të drejtë sepse fitoi Champions-in.

Po Zaniolo si ju duket?

Ka potencial, por e kanë vënë që tani në piedestal. Në ndeshjen e 21-vjeçarëve Itali-Poloni u fut si zëvendësues dhe luajti keq. A thua se u ofendua se nuk luajti që në fillim. Nuk po e qortoj, por ta dijë, se fanella e Italisë meriton një tjetër shpirt.

Shpirt kishte edhe Gatuzo, por te Milani nuk e mbajtën. Përse, sipas jush?

Rino bëri një punë fantastike. Është një person i drejtë, bujar dhe kur vlerësoi si duhet atmosferën vendosi të largohej pa e pasur mendjen te paratë që po linte. Një zotëri i vërtetë, mall i rrallë në futbollin e sotëm.

Thonë se mund të largohet edhe Patrik Kutrone. Çfarë duhet të bëjë djaloshi?

Nuk e di, por Milanit i duhet një si ai. Ku ka më mirë se një 20 vjeçar që e aktivizon në minutat e fundit dhe e gjen gjithmonë gati!

Më shumë sesa nga Kutrone, milanistët presin diçka nga Bobani. E dini se u përpoq të sillte Modrçin te Milani?

Milani ka shpenzuar 228 milionë euro për lojtarë që nuk ishin në lartësinë e fanellës. Tani Boban e Maldini nuk mund të gabojnë më, aq më tepër që nuk duhet të blejnë pesë lojtarë klasi. Do të mjaftonin dy të paktën, si fillim. Asnjë klubi nuk i duhen një tufë lojtarësh, siç ndodhte te Milani dy sezone më parë. Pronarët e rinj të Milanit e kanë nisur mirë me afrimet e Piontekut dhe Paketas.

Po nga Xhampaolo, çfarë prisni?

Më ka pëlqyer që kur stërviste Kaljarin (2006). Nuk kam ndryshuar mendim. Mendoj se ka arritur aty ku meriton të jetë. Milani është një realitet i rëndësishëm, t’i japim pak kohë e të shohim çfarë do të bëjë.

Nga Milani kalojmë tek Interi. Mes Kontes dhe Ikardit po kërcejnë një tango tradhtish…

Çfarë tradhtie??? Këtu ka vetëm profesionistë. Pyesni edhe zotin “Tripleta”. Murinjo pati thënë se në Angli nuk do të stërviste askund përveç Çelsit e më pas shkoi te Junajtidi. Mendoj se duhet dhënë më e mira kudo që një trajner apo futbollist vendos të shkojë.

Përse Konte zgjodhi Interin?

Nuk i mungonin ofertat, por shkoi aty ku mendon se mund të fitojë. Kam punuar vetë me “Suning” dhe e di mirë se çfarë potenciali ekonomik të jashtëzakonshëm ka presidenti Zhang. Prania e Marotës i shton shanset Interit për të pasur ambicie të mëdha.

Ronaldo tregoi se nuk fitohet vetëm. Çfarë recete keni për Juventusin?

Rabio dhe Ramsej janë dy kolosë. Nëse në Torino zbarkon edhe De Ligt, bardhezinjtë kanë çdo gjë që duhet për të synuar Ligën e Kampioneve. Ronaldo do të bëjë detyrën, siç e ka bërë gjithmonë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here