“Djalli” me sytë nga ylli i Benfikës, Maldini pret “asistin” nga Rui Kosta

Përveç një goditjeje në mbrojtje, Milani do të afrojë edhe një tjetër mesfushor. Emri më i ri është ai i Zhedson Fernandeshit të Benfikës. I lindur në vitin 1999, ai është rritur në akademinë e “Shqiponjave” të Lisbonës dhe prej sezonit të fundit është pjesë e ekipit të parë, pasi për dy vite kishte luajtur në ekipin B.

Kur nuk kishte debutuar ende në kampionatin portugez, djaloshi vlente vetëm 900 mijë euro, por vetëm pas 40 ndeshjesh vlera e tij është 30- fishuar. Paolo Maldini, ky emër i është sugjeruar nga zbuluesit e Milanit, ndaj drejtori teknik ka kontaktuar me klubin luzitan për të njohur vlerën e 20- vjeçarit. Ky i fundit vlerësohet 30 milionë euro, por në kontratën e shitjes Benfika kërkon të përfshijë edhe një seri bonusesh, që mund ta ngrenë vlerën e operacionit me 5-6 milionë euro të tjera.

STRATEGJIA

Duke marrë parasysh gjendjen e arkave kuqezi, Maldini nuk planifikon një ofensivë së shpejti. Drejtori teknik vijon të monitorojë edhe pista të tjera si Veretu i Fiorentinës apo Ruben Neves i Uolverhemptonit. Në rast se këto plane dështojnë, 45 milionë eurot e vëna në dispozicion nga fondi “Elliot” mund të përdoren të gjitha për Fernandeshin. Për të lehtësuar disi manovrën, Milani mund të besojë edhe te një ish-kuqezi si Manuel Rui Kosta. 47-vjeçari është drejtor sportiv i Benfikës dhe do të jetë ai ura lidhëse e “Djallit” për të siguruar shërbimet e 20-vjeçarit. Duke qëndruar te karriera e re e djaloshit, ai ka luajtur gjithashtu 12 ndeshje në Europë (6 Champions dhe 6 në Ligën e Europës), ku ka njohur edhe shijen e golit. Falë ecurisë më shumë se pozitive, gjatë vitit të kaluar është grumbulluar edhe me kombëtaren e të rriturve, duke pasur në dy raste mundësinë për të luajtur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here