Conte dëshiron Lukakun, Ausilio dhe Marotta nisin sulmin për dy yjet e amerikës latine

Objektivi i parë dhe kryesor për Interin është Romelu Lukaku. Antonio Konte nuk ka ndërmend që të hedhë sytë nga sulmues të tjerë.

Ka kërkuar vetëm atë dhe është i vendosur ta presë deri në momentet e fundit.

Konte denjon që të dëgjojë plane B, C apo D. Në mendjen e tij është vetëm belgu dhe pastaj ndoshta vijnë të tjerët. Marota dhe Auzilio janë të detyruar të bëjnë gjithçka për të kënaqur trajnerin e tyre, të cilit i kanë premtuar një skuadër të madhe për t’u ringritur në majat e futbollit italian dhe atij europian.

Ndodh ndonjëherë që objektivat të mos realizohen dhe drejtuesit zikaltër nuk duan të gjenden të papërgatitur. Po mendojnë çdo sulmues tjetër, i cili mund të pëlqehet nga Konte për skuadrën e Interit. Pa harruar pistën “Xheko”, e cila ka nisur të bëhet më e gjallë në orët e fundit ku drejtuesit e Romës kanë shfaqur hapur dëshirën për t’u ulur me Interin në bisedime.

VETËM DY 

Emri që mund të kalojë “provimin” e Kontes për sulmin zikaltër është Duvan Zapata, por në orët e fundit ka dalë në skenë edhe Edinson Kavani. Kolumbiani është gjithashtu një pistë e vështirë, sepse Atalanta e konsideron të paprekshëm dhe nuk do ta lërë të lirë për më pak se 60 milionë euro. Drejtuesit zikaltër i kanë bërë me dije Kavanit që mund të jetë ai i përzgjedhuri dhe nga lajmet e para rezulton se uruguaiani ka dhënë miratimin e tij për një transferim të tillë.

Është i gatshëm të rikthehet në Itali dhe zikaltrit do ta kenë më të lehtë për të bindur PSG-në, pasi sulmuesi ka kontratë edhe për një vit. Kjo do të thotë se emrat si Rebiç, Rafael Leao, Rodrigo dhe të tjerë janë thjesht alternativa që nuk merren në konsideratë nga Konte. Trajneri e pranoi që drejtuesit janë vonë dhe duhet të lëviznin më shpejt. Mançester Junajtid nuk ka ndërmend që ta lërë të lirë Lukakun pa 83 milionë euro, shifër e cila konsiderohet shumë e lartë nga Interi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here