Maguire i shtrenjtë, Manchester United piketon një tjetër mbrojtës

Ende asnjë e re mbi frontin Harry Maguire.

Mbrojtësi i qendrës nuk është stërvitur me ekipin e Leicester por “Dhelprat” nuk ulin pretendimet lidhur me interesimin e Manchester United. Kampionët e Premier League në sezonin 2015-2016 vazhdojnë të kërkojnë 90 milionë euro për lojtarin, por këmbngulja e tyre ka shtyrë “Djajtë e Kuq” që të hedhin sytë diku tjetër përpara se të mbyllet afati i transferimit të lojtarëve në Angli.

Ndërsa vazhdojnë takimet për të arritur të mbrojtësi i kombëtares së Anglisë, drejtuesit e United kanë vendosur në qendër të vëmendjes edhe mbrojtësin Ruben Dias, duke i propozuar një ofertë Benficës. Por sipas mediave portugeze, oferta e klubit anglez  nuk i afrohet aspak klauzolës së lirimit nga kontrata të mbrojtësit, klauzolë që kap shifrën e 66 milionë eurove. Kampionët e Portugalisë deri tani kanë përfituar 200 mln euro nga shitjet e lojtarëve, nga të cilat 126 milionë euro vetëm nga shitja e Joao Felix te Atletico Madrid, dhe nuk e ka shumë të nevojshme të largojnë të tjerë lojtarë nga ekipi. Në fakt drejtuesit e Benficës për momentin po mendojnë që të rrisin pikërisht vlerën e klauzolës në kontratën e Ruben Dias, për ta çuar atë në 88 milionë euro, ndërkohë që mbrojtësit do ti ofrohet një rritje e pagës.

Insistimi i Leicester për të mos lënë të lirë Maguire për më pak se 90 milionë euro, por po ashtu edhe qëndrimi i Benficës për të mos hequr dorë nëse në tavolinë nuk vjen një ofertë e mirë për Ruben Dias, duket se kanë krijuar shqetësime në shtëpinë e United, që disa ditë para mbylljes së merkatos janë të detyruar që të afrojnë një mbrojtës që do të shtonte cilësinë dhe sigurinë në një repart ku vitin e kaluar kanë vuajtur së tepërmi. Synimi i Manchester United është që të krijojnë një mbrojtje solide, çka do t’u lejonte atyre të ishin kompetitiv në një sezon të gjatë, në të cilin do të tentonin që të paktën të riktheheshin në Champions League. Deri tani “Foxes” qëndrojnë hermetik, edhe pse United ofron 80 milionë euro plus bonuse nëse arrihen objektivat sezonalë, por një ofertë e tillë duket se nuk mjafton. Për momentin gjithçka duket në vendnumëro, por për të mësuar nëse drejtuesit e “Djajve” do ta kënaqin trajnerin Solskjaer me një qendërmbrojtës të ri apo ajo, do të duhet të presim edhe disa ditë, pikërisht nisjen e sezonit të ri të Premier League, me fillimin e të cilit mbyllet edhe merkatoja e transferimeve në ishull.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here