Milani dhe Angel Correa bëjnë “lëmsh” Europën

Në fillim të javës mediat spanjolle folën për një këmbim mes Atletikos së Madridit dhe Valencias në lidhje me Rodrigon dhe Angel Korrean. I pari do të zbarkojë në kryeqytet, por vështirë se homologu do të bëjë udhëtimin në kah të kundër. Kjo lëvizje nuk do të realizohet, sepse Valencia pretendonte para në këmbim të bomberit të saj dhe, me sa duket, do ta shohë të realizuar synimin e saj.

“Los Colchoneros” përfliten se kanë arritur një akord mbi pagën me lojtarin dhe së shpejti do të zyrtarizojnë edhe marrëveshjen me klubin nga “Mestalla”. 50-60 milionë eurot që duhen për Rodrigon, do të sigurohen nga shitjet e Angel Korreas dhe Nikola Kaliniçit. Kroati mund të emigrojë drejt Gjermanisë ku ka shumë interes rreth tij, ndërsa argjentinasi vijon të mbetet në radarët e Milanit, madje nga Buenos Airesi bëjnë të ditur se Angel Korrea do të jetë zyrtarisht një lojtar i Milanit.

 

Kuqezinjtë kanë rënë dakord të derdhin 50 milionë euro në arkat e Atletikos së Madridit, që sheh kështu t’i plotësohet dëshira për të përfituar shumën në fjalë nga shitja e sulmuesit. Lajmin e ka dhënë mbrëmjen e djeshme në profilin e tij në “Twitter” Kristian Kamijo. Gazetari argjentinas, përveç lajmit, jep edhe detaje, siç është ai i udhëtimit të menaxherit të futbollistit drejt Europës. Gjithçka bëhet për të mbyllur sa më shpejt akordin, në mënyrë që edhe klubet të vijojnë planet e tyre të tjera në merkato.

 

Kur nisën bisedimet mes Milanit dhe Atletikos, këta të fundit qëndronin të patundur në pretendimin e tyre për të arkëtuar 55 milionë euro, pavarësisht se Korrea në katër vitet e tij në Spanjë nuk është se ka shkëlqyer në aspektin realizues. Në sezonin e fundit, ku shënoi vetëm 4 gola, 24-vjeçari, me sa duket, konsumoi edhe durimin e Pablo Simeones, që pavarësisht elozheve publike ndaj bashkëkombësit, nuk ka bërë rezistencë ndaj shitjes së tij gjatë merkatos së kësaj vere. Sa i përket lojtarit, ai ka një akord me Milanin që prej një muaji. Në rast transferimi në Itali, ai do të nënshkruajë një kontratë që do ta veshë për 5 vitet e ardhshme kuqezi, duke përfituar 3.5 milionë euro në sezon.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here