Para plus Milikun për Icardin, Ja prapaskenat…

Pasi sfumoi transferimi i Edin Xhekos, i cili kishte prej kohësh një akord me Interin, por i mërzitur nga vonesa e akordit mes zikaltërve dhe Romës preferoi rinovimin me verdhekuqtë deri në 2022-shin, klubi i “Suning”-ut tani duhet të veprojë për t’i dhënë trajnerit Antonio Konte sulmuesin e dytë me nivel ndërkombëtar pas Romelu Lukakut.

Zgjidhja e problemit të sulmit interist varet nga e ardhmja e Mauro Ikardit. Ishkapiteni, zyrtarisht jashtë projektit teknik që prej fillimit të korrikut, do t’i siguronte Interit jo vetëm para, por në negociata mund të përfshihen edhe shkëmbime të rëndësishme që do kënaqnin Konten.

“XHOLI” MILIK – Për momentin diçka është e sigurt: argjentinasi dhe bashkëshortja-menaxhere Vanda Nara duan vetëm Juventusin si alternativë të Interit, pasi do të ishin të lumtur nëse do të qëndronin. Në këtë skenar, administratori i deleguar Xhuzepe Marota do ta pranonte “rokadën” me Paulo Dibalën, hipotezë që nga bardhezinjtë gjithmonë është refuzuar. Ndaj, pasi Roma doli nga skena, i vetmi klub në garë për Ikardin mbetet Napoli.

Presidenti Aurelio De Laurentis po këmbëngul, ka përgatitur një ofertë prej rreth 60- 65 milionë eurosh, me pagesë cash ose me përfshirjen e Arkadiuz Milikut në bisedime.

Polaku është një vit më i ri se Mauro (përkatësisht 25 dhe 26), por problem mund të konsiderohen dëmtimet e shumta që e kanë shoqëruar gjatë dy viteve të para në Napoli, e megjithatë mbetet një “xhol” që mund të mbulojë disa pozicione. Me Sarrin dhe Ançelotin, sakaq, ka luajtur gjithmonë si sulmues kryesor duke shënuar 27 gola në 67 ndeshje; ndërsa me kombëtaren luan si sulmues i dytë, përkrah Levandovskit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here