Juventus refuzon Ivan Rakitiçin, Paratiçi takon agjentin e yllit të Serisë A

Aksi Torino-Barcelonë është ndezur papritur në 48 orët e fundit, ku në tavolinë mes dy klubeve janë vënë disa emra: Emre Xhan, Mario Manxukiç dhe Daniele Rugani në spondën torineze si dhe Luis Suarez, Ivan Rakitiç dhe i riu Huan Miranda në atë katalanase.

 

Gjithsesi, ajo që pritej të ishte tratativa më e mundshme mes palëve shihte shkëmbimin kokë më kokë mes Emre Xhanit dhe Ivan Rakitiçit. Edhe pse mesfushori kroat kërkohet nga disa prej klubeve më të rëndësishme të botës, në mënyrë të papritur, “Zonja e Vjetër” i ka thënë “jo” ofertës së Barcelonës.

Nëse këta të fundit duan gjermanin me origjinë turke, atëherë duhet vetëm të paguajnë para “të thata”. Emre Xhan vlerësohet minimalisht 45 milionë euro nga Juventusi dhe nëse pranojnë këto kushte, atëherë kampionët e Spanjës mund ta bëjnë të tyrin lojtarin. Rakitiç për momentin nuk u intereson torinezëve.

Takim për Kiezën? – Por lajmi më bombastik erdhi në orët e vona të ditës së djeshme. Në hotelin “Palazzo Parigi”, i cili gjatë verës shndërrohet në selinë e merkatos italiane, janë parë Fabio Paratiçi dhe Fali Ramadani, në një takim të gjatë mes tyre. Drejtori sportiv i Juves ka takuar menaxherin që mbulon interesat e Miralem Pjaniçit, por edhe të… Federiko Kiezës.

 

Pikërisht kaq është dashur që të rindizen edhe njëherë sirenat për një transferim të mundshëm të sulmuesit vjollcë në Torino. Ndonëse Fiorentina e ka cilësuar si të pashitshëm, Juventusi, i cili e ka një akord financiar me lojtarin prej kohësh (5 milionë euro neto në sezon për 5 vite), është gati që të hidhet sërish në sulm, pavarësisht se nuk po arrin që të shesë asnjë mes Mario Manxukiçit, Gonzalo Higuainit apo Paulo Dibalës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here