Goditja e fundit, Juventusi tenton edhe futbollistin e Barcelonës

Nxitimi nuk është kurrë pozitiv, por ndonjëherë koha nuk premton. Pak orë na ndajnë nga mbyllja e afatit të merkatos, por te Juventusi po nxitojnë për të siguruar në kohë rekord Ivan Rakitiçin. Drejtori Fabio Paratiçi po punon fort në aksin Torino-Barcelonë, sepse dëshiron që t’i afrojë Mauricio Sarrit edhe nënkampionin e botës. Nuk është vetëm çështje milionash, por edhe kartonësh në këmbim.

Matuidi, Bentankur, Kuadrado dhe Bernardeski janë ndër lojtarët që Juventusi do të tentojë të përfshijë në marrëveshjen, e cila do të sillte Rakitiçin në Torinon bardhezi. Në Katalunjë 31-vjeçari nuk konsiderohet si një shtyllë e skuadrës dhe kjo qasje e klubit e ka detyruar të monitorojë tregun për oferta të tjera.

Pak kohë më parë u përfol edhe për një kalim te PSG-ja në kuadër të akordit për të arritur te Nejmari, por nëse situata për brazilianin nuk ka ndryshuar, Rakitiç vijon të bëjë vlerësimet e tij. Juventusi nuk do të ishte vetëm një ndryshim ideal për një përvojë të re, por edhe një mundësi, ndoshta e fundit për të fituar Ligën e Kampioneve. Bardhezinjtë po pajisen maksimalisht, pikërisht për të synuar fitoren e trofeut me veshë të gjatë, që te Juventusi mungon prej më shumë se dy dekadash.

 

ÇËSHTJE BILANCI – Nëse Juventusi dhe Barcelona gjejnë akordin për të mbyllur çështjen me shkëmbime, do të ishte një faktor pozitiv për të dyja këto skuadra. Valverde dhe Sarri do të merrnin dhuratat e fundit në merkato, teksa nga arkat e klubeve nuk do të lëvroheshin shuma të tjera që mund të rëndonin buxhetet.

Te Juventusi, siç dihet, presin edhe një mbrojtës. Duke përfituar nga bisedimet për Rakitiç, drejtuesit italianë kanë bërë edhe një sondazh për Samuel Umtitin. Francezi ka humbur vendin e titullarit te blaugranat dhe do të pranonte me shumë dëshirë përvojën italiane, ku do të kishte mundësi të niste më i motivuar punën për një rol protagonisti, pavarësisht se mbrojtja e “Zonjës” liston emra që do të ishin titullarë në çdo ekip të Europës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here