“U përpoqa ta shikoja derbin në televizor, por nuk ia dola dot”, Berluskoni “djeg” Bobanin dhe Maldinin

Përpara derbit bënte shaka duke thënë se Monza e tij (4 fitore radhazi në kategorinë përkatëse) mund të fitonte ndaj Milanit 3-0.

Disi më serioz Silvio Berluskoni një ditë pas derbit, kur në një intervistë të shkurtër zbuloi pikëpamjet e tij në lidhje me kuqezinjtë. Kavalieri nuk kurseu askënd, duke nisur nga trajneri e deri te drejtuesit Maldini e Boban, reagimi për punën e të cilëve habit jo pak.

E patë derbin ndaj Interit?

U përpoqa ta shikoja në televizor, por nuk ia dola dot. Pas disa minutash, futbolli i Milanit më zhgënjeu.

Pak kohë më parë deklaruat se drejtuesit e Milanit zgjodhën Xhampaolon me këshillën tuaj.

Xhampaolon nuk e njoh fare.  Pak vite më parë, Galiani synoi ta sillte te Milani (qesh). Jo, jo nuk e solli as Galiani (qesh përsëri). Në fakt, nuk e kam takuar kurrë, kështu që nuk mund të jap një gjykim të saktë mbi atë trajner. Kur Milani e zgjodhi për të hapur një cikël të ri, na dukej të gjithëve një trajner i mirë.

Milani po luan me skemën tuaj të preferuar dhe po përfshin Suson si fantazist, por rezultatet po mungojnë gjithsesi. Çfarë mendoni?

Suso është një kampion i shkëlqyer që mund të luajë si fantazist, ose pas shpinës së dy sulmuesve. Ai duhet të vihet në gjendjen e duhur për të marrë topin, por deri më tani diçka e tillë nuk po ndodh.

Si e gjykoni punën e Maldinit dhe Bobanit si drejtues të Milanit?

Le të themi se i kam shijuar më shumë kur ishin që të dy futbollistë të Milanit tim, ndaj le të kalojmë te pyetja tjetër…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here