Juventus fiton ndaj Spal para derbit me Interin, Berisha lojtari i ndeshjes!

Juventusi është ngjitur në krye të tabelës së Serie A pas fitores ndaj Spalit (2-0), në ndeshjen e javës së gjashtë në kampionatin italian.

Rastin e parë për t’u përmendur e pati Paulo Dybala, i cili i kaloi mbrojtësit dhe hyrë në zonë, por përpjekjen e tij me të majtën e ndali Etrit Berisha.

Portieri shqiptar bëri një tjetër pritje fantastike, kur Aaron Ramsey goditi me kokë pas një harkimi në zonë.

Megjithatë, ai nuk ia doli ta ndalte goditjen me vole të Miralem Pjanicit, i cili e zhbllokoi rezultatin me një goditje nga largësia (44′).

Gjysma e dytë dhuroi raste të njëpasnjëshme për Zonjën e Vjetër, mirëpo portieri i skuadrës mysafire ishte i pakalueshëm duke bërë pritje pas pritjeje.

Por, Dybala u nis në sulm nga krahu i majtë dhe harkoi në zonë, ku kërceu lartë Cristiano Ronaldo dhe shënoi me kokë nën këmbët e Berishës (78′).

Kjo fitore e pozicionon Juventusin në krye të tabelës, me një pikë më shumë se Interi që këtë javë luan kundër Sampdorias.

Spali e ka regjistruar edhe humbjen e pestë në këtë fillimsezoni, ndërsa ka arkëtuar vetëm tri pikë nga një fitore e vetme.

Në xhiron e ardhshme, Juventusi zhvillon derbin e Italisë ndaj Interit në Giuseppe Meazza, ndërsa Spali është nikoqir i Parmas.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here