Wijnaldum hero, Liverpooli merr një fitore të vuajtur ndaj Sheffield (VIDEO)

Liverpooli ka fituar me shumë vështirësi dhe me shumë fat ndaj Sheffield United me rezultatin 0-1, në një transfertë shumë më delikate se u mendua.

Ekipi i Jurgen Klopp vuajti pafund kundër vendasve që u futën me shumë dëshirë në fushën e lojës.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-0, por me gafat e Sadio Manesë që duhet të dërgonte rezultatin në 0-2 për “Redsat”. Senegalezi bëri paraqitjen e tij më të dobët në këtë sezon, pasi humbi dy raste goli. Ai nuk shfrytëzoi një pasim brilant të Van Dijk që e nxori të vetëm me portierin duke mos gjetur shënjestrën e duhur, ndërsa më flagrant ishte rasti i dytë. Firminho e nxori të vetëm me portën në një distancë prej 5 metrash, por lojtari goditi shtyllën.

Sheffield mori zemër në pjesën e dytë dhe sulmoi me zgjuarsi, por Adrien ishte në formën e duhur. Portieri i Liverpoolit u tregua i saktë në disa raste, por krejt ndryshe bëri homologu i tij Henderson që katranosi gjithçka në minutën e 70′ duke i falur avantazhin miqve. Wijnaldum goditi nga distanca me një gjuajtje pa shumë pretendime, por “Gardianit të portës” i shpëtoi topi nga duart dhe përfundoi në rrjetë për 0-1.

Deri në fund, vendasit shtuan presionin, ndërsa Liverpooli u mbrojt mirë. Salah kishte mundësinë për të dyfishuar, por gaboi keqas i vetëm me portierin Henderson. Ky i fundit bëri mrekullinë, ndërsa për egjiptianin ishte një gafë e pafalshme. Liverpooli vazhdon ecurinë fantastike në Premier Leafgue, pasi ka 21 pikë në 7 ndeshje, duke i fituar të gjitha.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here