Camp Nou fortesa e Barcelonës: Katalanasit thyejnë rekordin e Real Madridit në Europë

Hera e fundit që Barcelona “ra në gjunjë” në “Camp Nou”, në Ligën e Kampionëve, ndodhi më shumë se gjashtë vite më parë, kur Bayern Munich triumfoi 3-0 aty, në gjysmëfinalen e kthimit.

Që nga ajo kohë, skuadra katalanase ka krijuar një seri prej 33 ndeshjesh pa humbje në shtëpi. Ky bilanc ndahet: 30 fitore dhe 3 barazime. Pra, “Camp Nou” është kthyer në një fortesë të pakalueshme në Europë. Një rekord, që është vendosur falë 101 golave të shënuar gjatë këtyre viteve dhe vetëm 16 golave të pësuar.

Megjithatë, është gjithashtu e vërtetë se kjo seri pamposhtmërie në shtëpi i ka shërbyer Barcelonës vetëm për të fituar një “Kupë Veshëgjatë” (në sezonin 2014-2015). Që nga krijimi i “Champions League”, asnjë ekip nuk kishte arritur të regjistronte kaq shumë ndeshje radhazi pa humbje në shtëpi. Shenjën e vet e la Bayern Munich, sezonin e kaluar, që kishte rekordin e 29 fitoreve radhazi pa humbje në “Allianz Arena”. Nëse flasim edhe për Kupën e vjetër të Europës, skuadra e njohur gjermane vazhdon të mbajë rekordin absolut për çdo kohë: 43 ndeshje radhazi e pamposhtur në shtëpi, midis viteve 1969 dhe 1991.

Tani për tani, Barcelona është ende larg këtij rekordi, pasi as këtë sezon nuk do të mund ta arrinte. Në rastin më të mirë do të luante edhe pesë ndeshje të Ligës së Kampionëve në “Camp Nou”, nëse arrin në gjysmëfinale. Por, i tejkaluar tashmë në këtë drejtim është Real Madridi, i cili kishte deri më tani rekordin e skuadrës së dytë më të mirë të të gjitha kohërave në Kupën Europiane (sot, Champions), me 32 fitore radhazi në “Santiago Bernabéu”. Kjo ecuri u regjistrua për 15 vite, midis 1975 dhe 1990. Triumfi i Barcelonës kundër Interit, këtë të mërkurë, shënoi të 33-tën ndeshje Championsi radhazi në “Camp Nou”, ku katalanasit nuk munden. Për këtë arsye, ata e mposhtën Real Madridin në historinë europiane.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here