Derbi edhe në merkato: Inter dhe Juventus në garë për tre yje!

Interi dhe Juventusi po përgatiten të përballen me njëri-tjetrin në fushën e lojës. Të dielën, në orën 20:45, zikaltrit do të presin kampionët e Italisë.

Një sfidë e nivelit absolut, e pajisur me pika të shumta reflektimi. Dhe, nëse skuadrat janë gati të bëjnë betejën në tapetin e blertë, ky duel nuk duhet të nënvlerësohet edhe në merkato. Sepse, në fakt, tundimet e përbashkëta nuk mungojnë dhe nuk do të mungojnë. Duke filluar me Sandro Tonali, gjithnjë në rritje. Djaloshi 19-vjeçar i Brescia i ngacmon jo pak fantazitë e klubeve më të njohura. Juventusi e ka ndezur prej kohësh radarin për këtë objektiv. Por, edhe te zikaltrit, Tonali është në listën e dëshirave kryesore.

Një “ankand” për të, natyrisht pa nënvlerësuar edhe konkurrencën e huaj. E cila, në këtë rast, mund t’i komplikojë ndjeshëm planet e dy big-ëve të Serie A. “Zonja e Vjetër” pret që pronari i Brescia, Massimo Cellino, t’i vendosë një çmim xhevahirit të vet. I njëjti “modus operandi” për Interin, i gatshëm të bëhet serioz, nëse sheh rreze shprese. Vëmendje të dy klubeve në fjalë ka marrë edhe Federico Chiesa. Lojtari më i mirë i Fiorentinës u kërkua me insistim nga Juve në merkaton e fundit. Rocco Commisso është i gatshëm për t’i vlerësuar ofertat ekstra-luksoze.

Drejtori i Përgjithshëm i Interit, Beppe Marotta, e di se rruga për te Chiesa është më e mundimshme. Por, ndonjëherë, të dëshirosh dikë si ky sulmues tregon fuqi ekonomike. Zikaltrit do të vlerësojnë përparimin e futbollistit vjollcë gjatë sezonit aktual. Pastaj, pas këshillave të çmuara të Antonio Conte, një admirues i kahershëm i sulmuesit, mund të nisin ofertat konkrete. Një pikëtakim tjetër mes zikaltërve dhe bardhezinjve, që nuk del kurrë nga moda, është Sergej Milinkovic Savic.

Mesfushori serb u “ekzaminua” në dy merkatot e kaluar nga Juventusi dhe Interi. Të dyja klubet, në të vërtetë, janë përpjekur ta bëjnë të vetin zbulimin e Igli Tares. Pengesë e pakapërcyeshme ka rezultuar Claudio Lotito, i cili kërkon rreth 90 milionë euro. Kjo kërkesë është vlerësuar si e pamundur nga shumë blerës potencialë. Me pak fjalë, Interi dhe Juventusi luajnë edhe jashtë fushe mes tyre. U shkon, sepse gjithmonë kanë qenë dhe mbeten derbi i Italisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here