“Për Conten jap edhe jetën”, rrëfehet Barella: Me Juven jemi të barabartë

Ka fituar besimin e të gjithëve tek Interi në harkun e pak ndeshjeve. Nikolo Barela është i besuari i Antonio Kontes, në kampionat ka kontribuar te seria prej gjashtë fitoresh radhazi dhe tani sfidon Juven në supersfidën e javës së shtatë, si i pari i klasës.

Dhe, mbi të gjitha, pas humbjes në “Camp Nou” kundër katalanasve. “Ju them menjëherë diçka, përballjen me Barcelonën nuk e kemi harruar…”, është shprehur në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”.

Çfarë është ky, kërcënim?

Humbjen nuk e kemi kapërcyer. Por, përtej arbitrimit dhe rezultatit, ajo ndeshje tregoi se jemi në formë. Për 65-70 minuta dominuam Barcelonën, skuadrën më të fortë në botë: diçka e rëndësishme për të ardhmen.

Mos hiqni dorë nga Champions-i për kampionatin?

Jo. Është një grup i vështirë, megjithatë jemi Interi. Nuk e di se ku, por do të grumbullojnë pikët e dobishme për të kaluar.

Çfarë ju tha Konte pas ndeshjes?

Nuk ishte rasti për të folur gjatë. U pamë dhe thamë: “Kemi një tjetër sfidë të rëndësishme, kokën përpara!”

E radhës është kundër Juves.

Skuadër e fortë, po ashtu si ne.

E luani si të barabartë?

Sigurisht. Juvja ka më shumë vetëm eksperiencën, faktin se njihen prej më shumë kohësh si grup. Fituan kampionatin me 21 pikë avantazh vitin e kaluar: duam ta ngushtojmë diferencën, në fund do të shohim nëse e kemi arritur qëllimin.

Vërtet që Sarri mund të ishte trajneri juaj?

Po, te Çelsi më kërkoi në janar, negociatat ishin konkrete. Te Kaljari thashë: “Nuk është një moment i thjeshtë për skuadrën, do të qëndroj deri në fund të sezonit”.

Sa telefonata ju bëri Konte?

Të bind menjëherë: jo më shumë se një…

Si do të mbroheni ndaj Ronaldos?

Duhet të pyesni Godinin, që shpeshherë e ka limituar… Sa mirë që nuk do ta markoj unë! Megjithatë, edhe nëse duhet, nuk tërhiqem prapa.

Ku duhet të përmirësohet më shumë Interi?

Krijojmë shumë, konkretizojmë më pak: ky është hapi i radhës.

Po në nivel personal?

Kam kaluar kuotën 100 ndeshje në Serinë A, por kam shënuar vetëm 7 gola, duhet ta rris mesataren.

Ku ndryshon vërtet Konte?

Ka një pikëpamje ndryshe për futbollin, një mënyrë të foluri përmes të cilës përcjell gjithmonë diçka të re. Për të do të vritesha. E keni parë si vrapojnë skuadrat e Kontes? Dhe jo vetëm sepse janë të përgatitura mirë. Është fryt i përgatitjes së tij.

Si është të pësosh një “tunel” nga Mesi?

Është lojtari më i fortë i të gjitha kohërave. “Tunelet” i kam gjithmonë zili, le të themi që kur e pëson nga Mesi, e vuan më pak. Stankoviç është modeli juaj? Ku ngjasoni me serbin? Në nivel vetëbesimi, po ashtu si ai nuk tërhiqem kurrë prapa. Ai kishte, megjithatë, një goditje dhe aftësi shënimi që do ta dëshiroja.

Cili është mesfushori më i mirë në botë?

Sensi… jo, bëj shaka. Kur është në 100%, Modriç.

Thuhet që forca e Interit qëndron tek italianët. Jeni dakord?

Mendoj se klubi ka ndjekur këtë linjë për të ndërtuar sa më parë një grup.

Cila është shishja e fundit e verës që keni blerë?

(Qesh…) Jam një koleksionist, ka lindur gjithçka rastësisht. Tani kam një kantinë me 350 verëra.

Nëse fitoni titullin, sa do të hapni?

Zbraz kantinën.

Keni një orë të lirë: bëni shëtitje, luani “Playstation” apo shikoni film?

Kohë për “Playstation” nuk kam, jam me dy vajza… Preferoj një shëtitje me familjen.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here