Pioli kthen Milanin në resort, ja risia e fundit brenda “Milanellos”

Nuk janë vetëm lojtarët që for mojnë skuadrën, por edhe përgatitësit, stafi i “Milanello”-s, madje edhe kuzhinierët. Është kjo një nga risitë e Milanit të Stefano Piolit. Trajneri nuk do të ndryshojë vetëm modul, por kërkon që të përmbysë edhe disi zakonet. Do të ketë punë për të gjithë, por përpara fushës ekipi do të stërvitet në mensë, ku objektivi është i dyfishtë: kujdes për grupin, por edhe për dietën.

PA VEÇIME

Raportet personale janë ndër parimet më të rëndësishme për Piolin. Lojtarët me njëri-tjetrin, me stafin, me ndihmësit apo me këdo tjetër që qarkullon në klub, duhet të kenë një marrëdhënie pune, por edhe respekti. Gjithçka shkon përtej fjalëve, sepse për të lehtësuar dialogun, pikë së pari trajneri i ri ka kërkuar një tavolinë të madhe, ku do të ulen të gjithë. Deri dje, në mensën e klubit lojtarët i konsumonin vaktet të ndarë në tavolina, ku mund të uleshin deri në tetë persona. Dikush preferonte bashkëmoshatarët, dikush bashkëkombësit, duke krijuar kështu pa dashje boshllëqe brenda grupit. Që sot, me urdhër të trajnerit, do të ketë vetëm një tavolinë, ku herë pas here do të ketë vend për familjet, partneret dhe fëmijët e futbollistëve, të cilët në këtë mënyrë do të mund të përforcojnë lidhjet me njëri-tjetrin.

 

DIETA DHE DËMTIMET

Përveç grupit, duke i mbledhur lojtarët në një tavolinë, do të jetë më e lehtë që të kontrollohet sasia e ushqimit që secili konsumon. Gjithçka që lojtarët do të hanë, do të varet nga peshimet e përjavshme, të cilat do të përcaktojnë nevojat ushqimore në bazë të lëngjeve të humbura. Ndryshe nga sa ndodh nëpër shumë klube, Pioli te Milani nuk do të privojë asnjë lojtar nga vaktet për hir të dietës. Makaronat dhe mishi do të jenë një konstante për secilin futbollist në tryezë gjatë drekës, teksa vaktet e tjera mund të pësojnë ndryshime me lojtarët, që do të ftohen të konsumojnë më shumë fruta dhe perime, si elemente bazë për të parandaluar edhe dëmtimet e natyrës muskulore.

 

STËRVITJET

Në planet e Piolit është edhe përfshirja e stërvitjeve “motivuese”. Nëse momenti ekipor do ta lejojë, lojtarët do të kenë të drejtë të sfidojnë njëri-tjetrin. Kush gabon, paguan, me sulmuesit që do të “dënohen” nëse shënojnë më pak se një shifër e paracaktuar, ose me portierët nëse pësojnë më shumë gola. Këto risi do të jenë kryesisht karakteristika të ditëve, në të cilat skuadra do të përballet me dy stërvitje, ndërsa dreka do të jetë një “obligim” përpara ose pas stërvitjes ditore, gjithnjë në varësi të orarit. Për stërvitjet përpara mesdite, Pioli ka ndaluar mëngjeset e bollshme, por zakoni do të përvetësohet me kohën dhe në tryezën e ngrënies. Mirëkuptimi i fituar duke ngrënë së bashku do të transferohet më pas në fushën e lojës. Të paktën, ky është qëllimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here