Tre sulmues me 5 gola për 11 javë kampionat. Milani është për të ardhur keq…

Sulmi i Milanit ende nuk po zgjohet nga “gjumi letargjik”. Realiteti flet për një seri shfaqjesh absolutisht të pamjaftueshme nga individët dhe krejt reparti ofensiv kuqezi.

Krzysztof Piątek, Rafael Leao dhe Suso (që janë tre sulmuesit kryesorë të sezonit te “Djalli”, Rebic deri më tani ka pasur shumë pak shanse për t’u konsideruar) kanë shënuar vetëm 5 gola në këto 11 javët e para të Serie A. Ndër to, dy gola janë realizuar nga Piatek përmes penalltive, kundër Verona dhe Torino. Një “agjërim” i tillë i sulmit të Milanit nuk shihej prej kohësh, ndërsa krahasimi me sezonin e largët tepër produktiv 1992-1993 vlen për të kuptuar bjerrjen e qartë të skuadrës aktuale.

5 gola për tre sulmuesit kuqezinj janë pak, shumë pak. Dhe nuk është e nevojshme që ata t’i shqetësojë krahasimi turpërues me të kaluarën, për shembull me sezonin që përmendëm pak më lart. Më 1992-1993, tre sulmuesit e parë të Milanit kishin shënuar 19 gola në 11 javët e para të kampionatit. Van Basten regjistronte 12 gola, Gullit 4 gola dhe Massaro 3 gola (pa harruar kontributin e lojtarëve të tjerë kuqezinj). Finalizimi i sulmuesve aktualë kuqezinj është trishtues, shumë i paktë edhe në krahasim me shifrat e fiksuara po në 11 javët e para të Serie A, nga tre shënuesit kryesorë të “Djallit”, në sezonet e fundit (sigurisht, nuk po flasim për shifra aq emocionuese sa sezoni 1992-1993).

Duke u kthyer pas në kohë, ne gjejmë 10 golat e shënuar nga Suso-Higuain-Cutrone sezonin e kaluar, 9 gola nga Suso-Kalinic-Cutrone (sezoni 2017-2018), 10 gola nga Bacca-Niang-Suso (2016-2017) dhe 9 gola nga Bacca-Luiz Adriano-Balotelli (2015-2016). Të gjitha këto sezone nuk kanë qenë mbresëlënës për kuqezinjtë, por të paktën në shënimin e golit kanë qenë gjithmonë më të saktë e produktivë. Pra, është koha për ta ndryshuar kursin. Po, por si? Trajneri Pioli po studion dhe punon për të gjetur zgjidhjen, edhe pse  rruga është “malore” dhe kalendari (Juventus dhe Napoli janë te dera) nuk ndihmojnë në këtë drejtim…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here