Belgjika mposht me rezultat të thellë Rusinë

Kombëtarja e Belgjikës ka shënuar fitore të thellë me rezultat 4-1 në udhëtim te Rusia në kuadër të eliminatoreve për Euro 2020, të vlefshme për Grupin I.

Belgët kanë vazhduar serinë e qind për qind, pasi kanë marrë edhe fitoren e nëntë në këtë grup, nga po kaq ndeshje të zhvilluara.

Pjesa e para e ndeshjes u karakterizua me dominim të belgëve, të cilët përveç rasteve të shumta, arritën të shënojnë edhe tri gola.

Thorgan Hazard hapi serinë e golave në minutën e 19-të pas asistimit të vëllait të tij, Eden, ndërsa ylli i Realit shënoi në minutën e 33-të për 0-2 dhe në të 40-tën për 0-3.

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë dhe të dyja skuadrat arritën të shënojnë nga një gol.

Të parët përsëri shënuan belgët me Romelu Lukaku (72′), i cili shënoi gol të bukur për 0-4, ndërsa Georgiy Dzhikiya (79′) vulosi rezultatin përfundimtar 1-4.

Pas kësaj fitore, Belgjika ka 27 pikë në vendin e parë, ndërsa Rusia renditet e dyta me 21 pikë.

Në takimin e radhës, rusët udhëtojnë te San Marino, ndërsa belgët e presin Qipron.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here