Rrëfimi i Xhani De Biazit: “Conte kishte një ego të sëmurë kur ishte lojtar”

Në një intervistë të shkurtër për “tuttomercatoweb”, Xhani De Biazi, ish-trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë, ka komentuar disa nga temat e fundit, duke nisur nga shkëlqimi aktual i Italisë dhe fakti se si pankina e “axurrëve” i rrëshqiti nga duart, e për të kaluar më pas te çështja “Ronaldo” te Juventusi, si dhe rilindja e Interit menjëherë falë punës së Antonio Kontes. 

STOLI I ITALISË – “Jam i lumtur për rrugën që Italia ka ndërmarrë, ndonëse e vërteta është që edhe unë isha në balotazh deri në fund me Venturën, për të marrë këtë detyrë. Pas takimeve që pata, mua m’u tha se Federata Shqiptare e Futbollit nuk donte të më linte të lirë, ndaj edhe sikur të më ishte ofruar stoli italian, vendimi final për këtë nuk do të më kishte takuar mua”, shprehet De Biazi, i cili më pas kalon te çështja “Juventus” dhe Kristiano Ronaldo.

 RONALDO – “Zgjedhja e Sarrit ndaj Milanit? Trajneri duhet të zgjedhë gjithmonë se çfarë është më e mira për skuadrën, jo për individin. Ronaldo mendoj se duhet të tregojë një sjellje tjetër në fushë, duke parë edhe kampionin e madh që është. Nuk mund të largohet nga stadiumi sa herë që zëvendësohet. Që ai nuk ishte i lumtur pas atij zëvendësimi, kjo nuk diskutohet, pasi Kristiano është një perfeksionist, një fenomen.

 

Në kokën e tij objektivi i vetëm është të vazhdojë të fitojë një sërë titujsh të tjerë, duke parë se sfida me Mesin, qoftë edhe në distancë, vazhdon dhe do të vazhdojë ende.

Ronaldo duhet të tregohet i zoti dhe shpeshherë të kapërdijë pakënaqësitë. Tani do i duhet të sqarohet me shokët e ekipit dhe mbi të gjitha t’u kërkojë falje atyre. Madje, jam i bindur se e ka menduar tashmë edhe se si do t’i delegojë faljet e tij, – vazhdon ishtrajneri i Shqipërisë, i cili komplimenton edhe Sarrin. – Mauricio është një trajner që di gjithmonë t’i përshtatet ‘skenës’ ndërkombëtare ku është protagonist. Është një trajner, por edhe një burrë shumë inteligjent dhe po e tregon”.

 KONTE – Në fund, Xhani De Biazi argumenton edhe rikthimin e Antonio Kontes në Itali: “Kishte një ego të sëmurë që kur ishte lojtar, por i tillë ka mbetur edhe sot, madje është bërë edhe më luftarak, pasi ka vendosur që të bëjë profesionin e trajnerit. Dhe si çdo luftëtar, m’u duk normale që të shpërthente dhe të kërkonte hapur armët e duhura për të luftuar, pas asaj përmbysjeje dramatike ndaj Dortmundit.

 

Konte qëlloi në kohën e duhur. Mund ta frenonte veten, por ai shpërthim ishte i programuar edhe për t’u hequr disa përgjegjësi lojtarëve të tij nga shpatullat, ndonëse ky Inter, nëse sot e kësaj dite po shprehet në këto ritme kaq të larta, meritë është mbi të gjitha e Kontes”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here