Dybala, thumbon Ronaldon: Të gjithë jemi ushtarë të Sarrit, s’do ketë më rebelime

Paulo Dibala është rikthyer në nivelet e tij të larta, pas edhe atij goli fenomenal me të cilin shtriu në tapet Atletikon e Madridit. Sulmuesi argjentinas është rikthyer të flasë sërish për emocionet e mbrëmjes së të martës, por mbi të gjitha nënvizon se pas rebelimit të Kristiano Ronaldos në ndeshjen kundër Milanit, tani e tutje nuk do të ketë më skena të tilla në skuadër, pas sqarimit dhe ballafaqimit që ka ndodhur mes grupit të lojtarëve, stafit teknik e atij drejtues. Por mbi të gjitha, numri 10 i Juventusit është i sigurt se këtë sezon, ai dhe shokët e tij duan të provojnë të fitojnë gjithçka. 

Paulo, si lindi ideja e atij goli magjik? 

Ishte vërtet i bukur, pasi pozicioni ishte tepër i vështirë dhe kishte shumë futbollistë përpara meje. Pjaniç më ulërinte që të godisja tokazi, me idenë që ndonjë devijim i mundshëm mund ta shkaktonte panik, nga ndonjë devijim i mundshëm. Por unë mendova që ta ngrija lart, sa më lart… Dhe ia dola… Në momentin e festimit, Pjaniç nisi të më tallte, qeshëm shumë duke folur në ato pak sekonda, por e rëndësishme ishte që topi shkoi në rrjetë. Jam i lumtur vërtet, sepse t’i shënosh Oblakut, nga pozicion aq i afërt është shumë e vështirë, pasi është një portier gjigant, që mbulon treçerekun e hapësirës së portës. Por fakti që kishte shumë lojtarë përpara dhe nuk do ta shihte topin që të nisej, poshtë traversës do e kishte të vështirë ta kapte. Ishte një goditje perfekte, por fatmirësisht e godita “thatë”, gati nga vendi, për t’i dhënë sa më shumë shpejtësi dhe ia dola.

I gjithë stadiumi u ngrit në këmbë për ju, pas golit dhe në momentin e zëvendësimit. Ndoshta do kishit dashur të luanit deri në fund?

U gëzova shumë, pasi unë luaj që të dëfrej tifozët, për t’u dhuruar sa më shumë kënaqësi atyre që paguajnë biletën dhe çdo ndeshje, dy ose tri herë në javë nuk ngurrojnë që të vijnë të na shohin për të na dhuruar mbështetjen e tyre. Ai gol ishte edhe për ta.

 

Por a do kishit dashur që ta luanit deri në fund ndeshjen me Atletikon?

Shiko, vendimet i merr trajneri, ndonëse të gjithë pak a shumë në këtë moment jemi në formë dhe duam të japim kontributin tonë. Gjithashtu të gjithë duam që të luajmë, por shihni edhe Higuainin… Bëri një ndeshje madhështore kundër Atalantës, por sërish njëri prej nesh duhej të qëndronte jashtë. Tani e në vazhdim gjërat do të ndryshojnë… Kush qëndron jashtë, do të pranojë vendimin e trajnerit.

 

Nuk ka më… Nuk ka më çfarë? Shfryrje si ajo e Ronaldos? 

Ne jemi të gjithë këtu për të ndihmuar Juventusin që të arrijë objektivat, sepse objektivat e klubit janë edhe tanët. Kemi një trajner që punon për të mirën e skuadrës dhe ne jemi jo vetëm “ushtarë” të Juves, por edhe ushtarë të Sarrit. Thjesht duhet të jemi të gjithë gati, kur të na kërkohet që të zbresim në fushë. Nga sot e tutje nuk ka më pakënaqësi, ka vetëm mirëkuptim dhe gatishmëri.

Një gol si i juaji na kujton një perlë të Maradonës…

Tani mos ta ekzagjerojmë, ju lutem… (qesh).

Mendoni se është sezoni juaj më i mirë në karrierë? 

Edhe dy vite më parë e kisha nisur mjaft mirë, por shpresoj që të ruaj të njëjtin ritëm. Për mua është e rëndësishme të jap kontributin në fushë, por nëse vijnë edhe golat, aq më mirë për mua dhe për Juven.

 

U kualifikuat dhe blinduat vendin e parë në grup. Me çfarë stimujsh do të shkoni në Leverkusen, në ndeshjen e fundit të grupeve? 

Të jeni të sigurt se nuk do të shkojmë për shëtitje, por për të fituar me çdo kusht. Nuk na intereson nëse jemi kualifikuar apo jo. Ne jemi një skuadër që kërkon të fitojë edhe ndeshjet miqësore dhe do të jetë kështu deri në fund. Fundja, vetëm duke fituar arrin që të përmirësohesh, të bëhesh më i frikshëm për kundërshtarët dhe t’u japësh një sinjal të fortë atyre. Kjo Juve sivjet kërkon të fitojë çdo trofe të mundshëm, por për ta bërë këtë, duhet të fitojmë çdo ndeshje që na mbetet deri në fund të sezonit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here