Pema e Vitit të Ri, ja çfarë shpreson të gjejë Pioli

Pritja e Krishtlindjeve dhe vetë festa nuk kanë qenë fort të lumtura te Milani. Pesë shpullat e marra në Bergamo kanë bërë që kuqezinjve t’u ngecin në fyt të gjitha gjërat e shijshme tipike të festave të fundvitit. Nuk ka dyshime që Stefano Pioli shpreson në një 2020 më të qetë, teksa poshtë pemës do të donte të gjente të paktën tri dhurata, të cilat po i hapim virtualisht me trajnerin e “Djallit”. 

DHURATA E PARË

Do të ishte në një kuti shumë të madhe, të paktën nga përmasat, duke qenë se brenda do të duhet të mbante Zlatan Ibrahimoviçin. Mund të jetë një sulmues 38-vjeçar, por që me siguri do t’i shtonte vlerën një prej sulmeve më sterile të Serisë A. Një si suedezi nuk do të ishte një afrim vetëm në nivel statistikor, pasi ai do t’u sillte kuqezinjve edhe shumë karakter, një tjetër vlerë me pakicë në organikën e “Djallit”. Ibra i ka shpatullat e gjera dhe të luajturit krah tij i ka motivuar gjithmonë ata që ka pasur pranë. Me një dhuratë të tillë, Pioli do të kishte një lojtar të vlefshëm, por edhe një ndihmës brenda e jashtë terrenit të gjelbër, praktikisht shembulli tipik i profilit që nevojitet brenda “Milanello”-s.

 

DHURATA E DYTË 

Siç po thoshim, mosha e kuqezinjve është e ulët. Ky aspekt nuk gënjen kurrë dhe disa nga të rinjtë nën urdhrat e Piolit po zhgënjejnë e jo vetëm nga ana e karakterit. Ka ardhur momenti që Leao, Benaser apo edhe Paketa (nëse vendos të qëndrojë) të tregojnë talentin sepse askush nuk ka dyshime që e zotërojnë. Duhet një kthesë dhe muri që ndan potencialin nga realiteti shembet pikërisht falë forcës që gjithsecili shfaq. A do t’ia dalin këta të rinj kuqezinj? Nëse po, Pioli do të ketë arritur një prej objektivave të caktuar në momentin e firmës me “Djallin”.

 

DHURATA E TRETË

Suso është rasti tipik kur merr një dhuratë të cilën e ke marrë edhe më parë dhe e ke në shtëpi. Mbase Milani e ka në shtëpi spanjollin, por gjatë fazës së parë nuk e ka parë askush. Titullar i padiskutueshëm, po aq sa i padiskutueshëm është fakti se ka qenë lojtari më i dobët nën urdhrat e Xhampaolos më parë e Piolit më pas. Tifozi milanist ishte mësuar me letargjinë e Susos, por këtë vit ai i befasoi të gjithë duke e nisur gjumin dimëror që në shtator. Një zgjim i tij me rastin e Vitit të Ri do të ishte një dhuratë sa e bukur aq edhe e mirëpritur në ambientin kuqezi, edhe sepse kriza e Piontekut e ka fillesën te regresi i spanjollit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here