Raul me disiplinë ushtarake për të rinjtë e Realit, zbulohen rregullat e veçanta

Në fillim disiplinë, korrektësi, respekt për klubin që përfaqëson dhe profesionalizëm, pastaj pikë dhe trofe. Janë këto cilësitë që ndoshta e shndërruan Raul Gonzales Blankon në një prej legjendave të Realit të Madridit, por të njëjtën gjë, ish-bomberi spanjoll tani e kërkon edhe nga lojtarët e rinj që stërvit.

Autori i 323 golave me Realin e Madridit, por edhe i 40 me Shalken, 16 me Al Sadin dhe 9 me Nju Jork Kozmosin, plus 44 të tjerëve me kombëtaren iberikase, nga fillimi i këtij sezoni është në krye të Real Madrid Kastijas, skuadrës së të rinjve të “Merengeve”.

Edhe pse rezultatet deri në këtë fazë të parë të sezonit nuk janë nga ato ekzaltueset, duke qenë se kanë grumbulluar vetëm 22 pikë në 18 takime, për Raul Gonzalesin, disiplina vjen para së gjithash dhe siç zbulon media spanjolle, ai i detyron futbollistët e tij që të zbatojnë 5 rregulla, të cilat është pak që t’i quash thjesht strikte, përkundrazi janë të ashpra dhe askush nuk tolerohet nëse i shkel ato, siç nënvizohen më poshtë:

1. Kundrejt orarit të parashikuar për stërvitjen, lojtarët duhet të jenë prezent në qendrën stërvitore 1 orë e gjysmë më herët. Ai që vonohet më shumë se një herë, dënohet deri me prishje të kontratës.

2. Momentin kur shkelet territori i qendrës stërvitore, Raul nuk lejon të shohë asnjë me telefon në dorë dhe asnjërin me veshje të firmave luksoze, modele të çuditshme flokësh apo qoftë edhe me kufje në vesh.

3. Teksa konsumohet mëngjesi apo dreka, të gjithë mund të bëjmë muhabet vetëm sy më sy me njëritjetrin. Në duar pranohen të shihen vetëm pirunë dhe lugë. Telefonat nuk ekzistojnë.

4. Në dhomat e zhveshjes, shefi është vetëm Raul Gonzalesi: “Rregullat këtu i bëj unë. Kokën mbajeni lart, sepse po luani për Realin e Madridit. Kush mban kokën poshtë, le t’ia fusë vrapit menjëherë nga ka ardhur, sepse vetëm celularët mund t’ua mbajnë kokën poshtë. Ky është Reali i Madrid, nuk është një aventurë në celular”, shprehej Raul.

5. Që të bëhesh futbollist, duhet të jetosh si futbollist. Raul mban kontakte me prindërit e lojtarëve, të cilët janë të detyruar që t’i raportojnë trajnerit se në çfarë ore kanë rënë për të fjetur, por askush nuk duhet të kalojë orarin e mesnatës zgjuar: “Një lojtar që fle në mesnatë, më mirë të mos zgjohet fare ditën tjetër. Nuk është në formë për t’u stërvitur në mëngjes”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here